Live

Kurti: Asociacioni është fjalia e fundit e nenit të fundit e marrëveshjes

22:02 / 27 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas takimit në Bruksel.

Në paraqitjen para gazetarëve, shefi i ekzekutivit, ka përmendur edhe çështjen e Asociacionit.

Për këtë, ai tha se Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe është pjesa e fundit e nenit të fundit të marrëveshjes.

Nuk dihet nëse ai la hapësira për implementim, megjithatë dyshuese e konsideroi edhe ish-ministri i jashtëm, Petrit Selimi.

Ky i fundit, përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, shkroi se Kurti s’ia mbylli derën.

“Kurti u pyet për Asociacionin dhe u përgjigj: “Asociacioni është pika e fundit në paragrafin e fundit të marrëveshjes dhe tashmë dihet çka mendoj unë”. Pak e kripur, por jo mbyllje dere, përkundrazi përqendrim në sekuencë”, shkroi Selimi.

Kujtojmë se kryeministri Kurti e pohoi se plani franko-gjerman është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.

Këto deklarime i bëri në paraqitjet para gazetarëve pas takimit në Bruksel.

“Sot patëm një takim pozitiv, konstruktiv në Bruksel dhe ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm i pandryshueshëm. Unë qysh më herët pata thënë që është bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara.

Tash, ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit, por do të ketë edhe takim të radhës të nivelit të lartë, diku kah mesi i muajit mars, sërish me lehtësimin e Borrell dhe Lajçak.”.

Shpërndaje në

U Kopjua