Live

Kurti: Ata që kanë vendosur barrikadat janë vetë aty, madje me armatim

22:49 / 15 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për vendosjen e barrikadave në veri të vendit, për të cilat ka thënë se janë vendosur nga persona që janë duke qëndruar në këto barrikada dhe se janë me armatim.

Kurti ka thënë se më së miri do ishte që këto barrikada, që dita e ditës po shtohen në rrugët e komunave veriore të Kosovës, të hiqen nga vetë ata që i vendosën aty.

“Mbase më së miri do të ishte që të hiqen prej atyre që janë vendosur, mirëpo ata që i kanë vendosur barrikadat janë vendosur edhe vetë në barrikada madje me armatim” – ka thënë kryeministri në një intervistë në ATV.

Ai për këto barrikada tha tutje se nuk janë civile dhe se nuk janë serbët në Kosovë që i kanë ngritur ato.

“Janë disa qindra pjesëtarë të strukturave ilegale të shndërruara në banda kriminale e që udhëhiqen prej personave që në njërën anë kanë fletë-arrest nga Republika e Kosovës e në anën tjetër janë në listën e zezë të Thesarit amerikan” – ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se për largimin e këtyre barrikadave i është dhënë kohë KFOR-it me qëllim që këta të fundit të veprojnë.

“Në anën tjetër ne kemi dhënë kohën e kërkuar nga KFOR që ata të bëjnë heqjen e barrikadave dhe ministri i Punëve të Brendshme po pret” – tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit tutje tha se barrikadat nuk mund të qëndrojnë në këto zona jo vetëm për shkak se shkelin ligjin dhe lëvizjen e lirë, por në të njëjtën kohë edhe për shkak se vetë qytetarët serbë janë ata që bllokohen më shumë.

Në pesë ditët e fundit zona veriore e Kosovës është e bllokuar nga barrikada që u vendosën në disa pjesë e që bënë që rrugët të jenë të pakalueshme për qytetarët e po ashtu të mbyllen edhe dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak që lidhin Kosovën me shtetin fqinj, Serbinë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...