Live

Kurti do takim bilateral me Vuçiqin në Bruksel vetëm kur të plotësohen kushtet e vëna nga ai

19:49 / 26 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se ka kërkuar që të plotësohen tri kushtet e vëna nga ai ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që të zhvillohet takim bilaterial në Bruksel.

Ai ka deklaruar të mërkurën pas takimit se, “Qeveria ka shprehur qëndrimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, që ishte dakorduar në shkurtin e 2023-tës”.

“Konsiderojmë që Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme por edhe e arritur e BE-së, i cili ka ndërmjetësuar runde të tëra të këtij dialogu. Hera e fundit kur kemi pasur takim trilateral ka qenë më 14 shtator të vitit të kaluar. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë kur ka ndodhur Banjska por edhe letra e tërheqjes nga marrëveshja bazike”, ka thënë Kurti.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

Shpërndaje në

U Kopjua