Live

Kurti krenohet me Gërvallën: Me të fituam përfaqësim të dinjitetshëm ndërkombëtarisht

12:35 / 16 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Derisa NATO, Pentagoni dhe shtetet perëndimore ende nuk po e konfirmonin zyrtarisht se Rusia ka hedhur raketa në territorin e Polonisë, rrjedhimisht në territorin e NATO-s, Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, doli me një cicërimë duke e bërë fakt të kryer çështjen e autorit.

Përveç se tha se dy vrasjet nga këto raketa kanë ardhur nga sulmet ruse ajo bëri thirrje gjithashtu se “BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të ndaluar Putinin përpara se ai dhe korrierët e tij të sjellin luftën në të gjithë kontinentin”.

Ministrja u kritikua gjerësisht në Kosovës për pamaturi dhe mungesë të taktit në sjelljet e saja diplomatike, por vetë kryeministri Albin Kurti është shumë i kënaqur me të.

Ai beson se pikërisht për shkak të saj, e të disa udhëheqësve të tjerë ku e fut edhe vetën, Kosova shihet sot ndryshe në botë – me dinjitet të madh.

“Me mua si kryeministër dhe me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, Republika e Kosovës ka fituar përfaqësim të dinjitetshëm në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai gjatë një mbledhje me shqiptarë të diasporës në Vjenë të Austrisë, për ku udhëtoi nga Parisi.

Kurti s’ka mbajtur meritat veç për të e për Gërvallen.

Tha se ky dinjitet i arritur në arenën ndërkombëtare është edhe falë “presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca”.

Qëndrimi shumë pozitiv i Kurtit për Gërvallën nuk është i vonë.

Përkundër shumë skandaleve të ministres së Punëve të Jashtme, ai vazhdimisht ka thënë se është në harmoni të plotë me të.

Kur një herë ishte raportuar se ka çarje në mes të Gërvallës e Kurtit pikërisht për shkak të gabimeve elementare në diplomaci të ministres, kryeministri kishte deklaruar në një emision në RTK se ““as nuk e kam kërkuar lirimin nga detyra, e as nuk më shkon mendja ta kërkoj”.

“Bashkëpunimin e kam shumë të mirë me të. Do të kisha dashur që me të gjithë ministrat dhe deputetët ta kem bashkëpunimin si me të”, thoshte Kurti.

Madje, ishte shprehur se është fat i posaçëm institucional të kesh një kryediplomate të kalibrit të Gërvallës.

“Unë e di që janë marrë shumë me ata flamujt në Twitterin e saj, por ajo ka bërë punë të madhe”.

Kur ishte pyetur për gabimet në statuset e ministres, kryeministri kishte thënë arsyetimin se “po kemi shumë punë”, prandaj “s’po mund ta shohim çdo fjali”.

Shpërndaje në

U Kopjua