Live

Kurti priti në takim ambasadorin e ri jo rezident të Republikës Islamike të Pakistanit

18:52 / 22 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri jo rezident të Republikës Islamike të Pakistanit, Yousaf Junaid, të cilin e uroi për detyrën e re.

Duke e vlerësuar Pakistanin si shtet partner dhe popull mik, Kurti e falënderoi për mbështetjen ndaj vendit tonë, sidomos për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe përkrahjen e vazhdueshme në arenën ndërkombëtare.

Bëhet e ditur se u bisedua për marrëdhëniet bilaterale dhe mundësitë për zgjerimin e tyre, veçanërisht në bashkëpunim ekonomik dhe shkëmbime tregtare, si dhe në fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Kreu i ekzekutivit kosovar theksoi indikatorët pozitivë ekonomikë në vendin tonë dhe potencialin për investime, duke veçuar pozitën e favorshme gjeografike dhe popullsinë e re të talentuar.

Ndërkaq, ambasadori Junaid shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin ndërmjet Pakistanit dhe Kosovës dhe gatishmërinë për intensifikim të mëtejmë.

Duke vlerësuar progresin mbresëlënës në vendin tonë, ai theksoi vullnetin e Pakistanit për të mbështetur zhvillimin në Republikën e Kosovës.​

Shpërndaje në

U Kopjua