Live

Kurti: Unë nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës në vitin 1999

11:20 / 16 Janar 2023

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së fundi ka dhënë një intervistë në gazetën italiane “La Stampa”.

Kryeministri përmendi përparimin e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit dhe në lirinë e medies derisa i mëshoi tezës se zhvillimi ekonomik me demokracinë shkojnë bashkë.

“Normalizimi i raporteve duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Serbia duhet ta njohë Kosovën. Besoj që propozimi i BE-së i shtatorit të vitit të kaluar mund të shërbejë si bazë e mirë për diskutime të mëtejme…”, u shpreh Kurti.

Por, ka një problem: propozimi i BE-së (franko-gjerman) nuk e përmban njohjen de jure nga Serbia?

Kurti fatkeqësisht nuk u pyet për një gjë të tillë.

Kryeministri u shpreh edhe në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. A do ta formonte Zajednicën?

“Paraardhësit e mi i kanë nënshkruar 33 marrëveshje për dhjetë vjet në bisedimet në Bruksel. Një prej tyre është Asociacioni… e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese… Besoj që Kosova garanton të drejtat e pakicave në shkallën më të lartë. Veçanërisht për komunitetin serb… Një Asociacion etnik i komunave shkon kundër frymës së Kushtetutës tonë”, tha ai në përgjigjen e tij.

Kurti po ashtu ngulmoi që Serbia nuk dëshironte marrëveshje me Kosovën dhe për atë arsye po krijonte tensione.

“Unë nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës në vitin 1999”, ishte fjalia goditëse e tij në këtë përgjigje.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës e denoncoi edhe despotin rus Vladimir Putin se e kishte “obsesion Kosovën”.

I pyetur se cilën anë po zgjedhte Serbia, Kurti ishte krejtësisht i qartë: Rusinë.

“Serbia e ka bërë zgjedhjen e saj. Ata kanë nënshkruar tri marrëveshje të mëdha me Rusinë…”, u shpreh ai.

Shpërndaje në

U Kopjua