Depuetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë sot seancën për grevat, e cila u ndërpre dje shkaku i mungesës se kourumit.
PDK paraqiti një rezolutë me disa pika për zgjidhje të krizës.
Çudia ishte se vet deputetët e saj, gati gjysma prej tyre, nuk ishin të pranishëm në seancë teksa po pritej votimi i rezolutës.
Dje, kryeministri Kurti me mazhorancën e deputetëve dhe opozitën patën përplasje për qasjen se si duhet të tejakalohet kriza.
Kryeministri Kurti po këmbëngul se Pakoja e Përballjes me Inflacionin, një masë kjo që e mori Qeveria para pak ditësh, përbën zgjidhje reale edhe për kërkesat e sindikalistëve.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi mbrëmë se, 90 për qind të kërkesave të sindikatave, Qeveria ua ka përmbushë.
Se si do të vijojnë sot diskutimet në Kuvend për këtë temë, me narracion të arsyeshëm e logjik apo me dramëm teatrale të tensioneve, mbetet të shihet.
Ajo që tashmë është e qartë dhe e padiskutueshme mbetet kriza e grevës, për të cilën Qeveria prentendon se ka ofruar zgjidhje e sindikalistët po thonë se Qeveria po i shpërfillë kërkesat për rritje pagash për 100 Euro.
Koston e gjithë këtij animoziteti po e mbajnë mbi 300 mijë nxënës, të cilët gati qe një muaj mbeten jashtë bankave shkollore.
Zgjidhje ende nuk ka, a do të ketë marrëveshje në këtë javë, tash për tash, këtë askush nuk e di. /kosova.live/