Live

Lajçak e takon Escobarin: U zhytëm në diskutime të thella

09:31 / 07 Maj 2024

Nga Kosova Live

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se ka mbërritur në Washington.

Lajçak ka njoftuar se është takuar me emisarin e Amerikës, Gabriel Escobar.

Emisari bëri të ditur se takimi ka qenë produktiv, dhe janë zhytur në tema të thella.

“Sapo arrita në Amerikë. Pata një takim shumë produktiv me të dërguarin special të Amerikës, Escobar, duke u zhytur në diskutime të thella. Pres biseda të tjera pasuese gjatë qëndrimit tim këtu”, ka shkruar Lajçak.

Se Lajçak do të shkojë në SHBA ka njoftuar dje Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit James O’Brien.

“Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar dhe unë planifikojmë të mirëpresim Miroslav Lajçak më vonë këtë javë për të koordinuar mbështetjen SHBA-BE për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar dje O’Brien në X.

Ky takim vjen pas raportimeve se Escobar më nuk do të jetë emisar për Ballkanin Perëndimor.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka mohuar se kjo ka ndodhur pas disa raportimeve nga media jo fort të njohura, lidhur me mundësinë që Escobar të jetë korruptuar apo diçka e tillë.

“Zëvendësndihmësi i sekretarit, Gabriel Escobar, nuk është shkarkuar nga detyra e tij. Të gjithë diplomatët e karrierës ndërrojnë detyrë çdo katër vjet, si pjesë e një praktike të rregullt”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të DASh.

Takimi vjen pas një diskutimi që pati Kurti dje me shtetet e QUINT-it.

Kurti ka theksuar se Asociacioni nuk duhet të ndërlidhet me Këshillin e Evropës.

“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thuhej në komunikatë.

Shpërndaje në

U Kopjua