Live

Lajçak: Normalizim, jo ​​kapitullim – Asociacioni duhet të jetë sipas modelit të rënë dakord 10 vjet më parë

21:30 / 14 Mars 2023

Nga Kosova Live

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha në një intervistë se propozimi evropian ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve, jo me kapitullimin.

“Besoj se propozimi ynë është i drejtë dhe se është i dobishëm për Serbinë dhe për rajonin, nuk jam këtu për të ndryshuar historinë, por për të ndryshuar të ardhmen”, theksoi Lajçak.

Ai për televizionin publik serb, tha se marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe  nuk është përmbushur për dhjetë vjet, por thekson se kësaj radhe do të ndodh.

“Nuk do të kemi marrëveshje pa Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thekson i dërguari special i BE-së për dialog.

Lajçak ka thënë se mandati i tij thotë se duhet të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Do të dëshiroja që ne të vendosim marrëdhënie ku njerëzit të lëvizin lirshëm, të bëjnë biznes, të studiojnë dhe mendoj se kjo është në interesin e të gjithëve”, tha Lajçak.

Lajçak dje ka biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, sot ka vazhduar edhe bisedimet dhe e gjitha kjo në prag të takimit në Ohër.

“Kemi pasur një takim më 27 shkurt në Bruksel dhe aty është rënë dakord që nuk ka më nevojë të diskutohet teksti i propozimit tonë, i cili u bë publik në uebsajtin e BE-së. Megjithatë, që ai tekst të zbatohet, ne duhet të biem dakord për rregullat – cila është sekuenca e hapave, kush duhet të bëjë çfarë dhe kur. Niveli i besimit mes dy palëve është i ulët dhe të dyja palët kërkojnë garanci. Ky është qëllimi i bisedës sime me presidentin Vuçiq”, ka theksuar Lajçak.

Ai shtoi se edhe javën e kaluar ka qenë në Prishtinë me të njëjtin qëllim që të marrë mendimin e të dyja palëve lidhur me aneksin për zbatimin e marrëveshjes.

Duke iu përgjigjur pyetjes se ka ofruar 15 modele të Asociacionit në Prishtinë, Lajçak tha se një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është themelimi i Asociacionit.

“Ne e dimë që për Asociacionin është rënë dakord në 2013, por nuk ka ndodhur. Këtë herë duhet të ndodhë në bazë të asaj që është rënë dakord në 2013, respektivisht në vitin 2015. Ne propozuam 15 modele ekzistuese evropiane si frymëzim. Jo si një alternativë “Ndoshta marrëveshjet e 2013 ose 2015 nuk do të japin përgjigje për të gjitha pyetjet. Unë dua që ne të kërkojmë frymëzim nga modelet funksionale evropiane”, tha Lajçak sonte në RTS.

Lajçak ka theksuar se marrëveshja e Brukselit, e cila është nënshkruar para 10 vitesh, nuk është braktisur.

“Asociacioni duhet të ndërtohet sipas modelit që është rënë dakord në vitet 2013 dhe 2015. Dhe modelet janë aty për të treguar se askush nuk duhet të ketë frikë. Ka modele të vetëqeverisjes, të minoriteteve në Evropë dhe kjo nuk është asgjë e rrezikshme. Askush nuk duhet të ketë frikë. Është normale që kemi garanci ligjore që komuniteti pakicë të ndihet i sigurt”, shpjegoi ai.

I pyetur nëse Asociacioni ka kompetenca ekzekutive dhe çfarë do të thotë kur thuhet se nuk duan një Republikë Srpska të dytë në Kosovë, Lajçak shpjegon se Asociacioni ende nuk ekziston dhe se çfarë do të ketë duhet të bihet dakord mes Beogradit dhe Prishtinës brenda dialogut, por sigurisht në bazë të asaj që është rënë dakord në 2013 dhe 2015.

“Duhet të bien dakord për një sërë detajesh, të propozohet një statut dhe të dy palët të bien dakord për statutin, për dhjetë vjet nuk është përmbushur marrëveshja, por kësaj radhe do të jetë, sepse nuk do të kemi marrëveshje pa Asociacion”, tha Lajçak.

Shpërndaje në

U Kopjua