Deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se si deputetë janë në terr informativ nga Qeveria e Kosovës, sa i përket ecurisë së dialogut me Serbinë.
Lekaj tha se sa i përket planit franko-gjerman, AAK-ja e din përmbajtjen, por se nuk janë të informuar në detaje.
“Jemi në një terr informativ nga Qeveria e Kosovës dhe si deputet nuk kam informacione se çka është folur apo çka është pranuar. Nuk e kam idenë se çka është folur dhe çka është pranuar. Qeveria Kurti nuk është transparente. Ne kemi diskutuar për planin franko-gjerman, mirëpo nuk jemi të informuar në detaje. E dimë përmbajtjen, por si Aleancë e kemi bërë të qartë se çdo marrëveshje duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe jo Asociacionin. Jemi për formimin e Asociacionit pa kompetenca ekzekutive dhe në frymën kushtetuese, jo një të atillë që e bën jofunksional shtetin e Kosovës”, ka thënë Lekaj në Info Magazine të Klan Kosova.
Tutje, deputeti tha se vendi ku duhet të debatohet është “ky vendi i shenjtë”, duke folur për Parlamentin.
Ai tutje tha se Kurti ka ndryshuar rrënjësisht nga ai që ka qenë në opozitë dhe ai që është tani në pozitë.
“E kemi një ndryshim rrënjësor të po këtij njeri që ka qenë në opozitë dhe tani në opozitë. Pyetja është “A është zoti Kurti tani i veshur me petkun kuqezi apo e ka petkun lara-lara, siç nuk e ka pranuar flamurin?”.