Live

Liberalizimi | Saga evropiane e padrejtësisë me shtetasit e Kosovës, kur dhe si u liberalizuan shtetet e rajonit?

15:39 / 22 Nëntor 2022

Nga admin

Kosovarët sot më në fund kanë marrë një lajm pozitiv lidhur me liberalizimin e vizave. Ndonëse ende në formën e një propozimi, dakordimi i përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, vjen pas një pritjeje të gjatë të qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen, që përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Shteti i Kosovës ka disa vite që përballet me përmbushje shtesë të kritereve nga ana e BE-së, të cilat në rastin e liberalizimit të vizave për shtetet e tjera nuk u kërkuan, shkruan Demokracia.com.

Madje, një nga shtetet që sot kërkoi datën për liberalizim sot është edhe Spanja, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Mirëpo, hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për kosovarët ka prapë një kusht të vënë përpara. Liberalizimi do të jetësohet “në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS”, i cili është një sistem digjital që synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën Schengen.

Ky sistem është dashur të nis së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023. Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet pikërisht me funksionalizimin e ETIAS-it.

Republika Çeke doli më pas me propozimin që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhej me funksionalizimin e ETIAS-it, por njëherësh të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit: “jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”.

Me kërkesën e Spanjës, kjo datë është shtyrë për 1 janar të vitit 2024.

Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen edhe pse Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Për liberalizim janë kërkuar kritere që kanë qenë specifike vetëm për Kosovën

Megjithatë, Komisioni Evropian ka dyfishuar numrin e kritereve për Kosovën, nga 45 sa kishin vendet tjera, në 95 kritere dhe shumë rekomandime të tjera shtesë, të cilat ishin shtuar gjatë këtij procesi. Madje, Kosovës i ishin vendosur kritere që i tejkalojnë edhe standardet e shumë shteteve anëtare të BE-së. Metodologjia e BE-së për Kosovën ishte selektive dhe shumë ndryshe prej metodologjisë që kishin përdorur me shtetet e tjera të rajonit.

Disa prej kritereve që kanë qenë specifike vetëm për Kosovën, janë si miratimi i Ligjit për Riatdhesim (nuk kanë mjaftuar vetëm marrëveshjet, sikurse për vendet e tjera, por është kërkuar edhe ligji), Miratimi i Ligjit për IBM (as vetë shtetet e BE-së nuk kanë ligj të veçantë për IBM), Miratimi i Ligjit për Luftimin e Trafikimit me qenie njerëzore, Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi (kriter vetëm për Kosovën, por nuk ishte kriter edhe për Malin e Zi).

Komisioni Evropian ka qenë shumë strikt për Kosovën, por në asnjë rrethanë nuk ka qenë fer dhe Kosova nuk është vlerësuar mbi bazë të meritave. Në radhë të parë, metodologjia e përdorur në vlerësimin e Kosovës ka qenë e destinuar të shkaktojë vonesa në proces.

Komisioni Evropian në vlerësimet e bëra ka përdorur gjuhë me plot dykuptimësi. Vlerësimet janë bërë mbi bazën e perceptimit dhe jo të mbështetura me indikatorë matës. Gjithashtu, komunikimi nuk ka qenë konsistent, p.sh. në vitet e dialogut për liberalizimin e vizave Komisioni Evropian ka ndërmarrë vetëm tre (3) misione vlerësuese dhe ka publikuar tre raporte. Kurse, në rastet e vendeve tjera kemi pasur dyfish më shumë misione vlerësuese dhe raporte të publikuara, përcjell Demokracia.com.

Përveç se ka pasur më shumë kritere, edhe gjatë procesit Komisioni Evropian ka dalluar në raport me Kosovën.

Liberalizmi i vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor

Komisioni ka iniciuar dialogun e procesit të liberalizimit të vizave për vendet e rajonit qysh në vitin 2008, apo më saktësisht për Serbinë (30 janar 2008), Maqedoninë (20 shkurt 2008), Malin e Zi (21 shkurt 2008), Shqipërinë (3 mars 2008) dhe Bosnjën e Hercegovinën (26 maj 2009), shkruan Demokracia.com.

Në qershor të vitit 2009, Komisioni Evropian publikoi raporte vlerësuese me qëllim të vlerësimit të përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit nga ana e shteteve përkatëse.

Bazuar në këto raporte, Këshilli Evropian miratoi propozimin për heqjen e regjimit të vizave për Maqedoninë e Veriut, e cila konsiderohej se ka përmbushur të gjitha kriteret edhe për Serbinë e Malin e Zi, të cilat akoma kishin disa kritere të pa përmbushura.

Në këto raste, edhe pse Komisioni Evropian në raport kishte vlerësuar se Serbia dhe Mali i Zi kishin kritere të pa përmbushura, ai kishte vendosur të vazhdojë të vlerësojë zbatimin e kritereve të hapura për Serbinë dhe Malin e Zi paralelisht me shqyrtimin e propozimit të tij (për heqjen e regjimit të vizave) në Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian, duke nënkuptuar se këto kritere duhet të plotësohen deri në datën e miratimit të këtij propozimi nga Këshilli.

Probleme të ngjashme kanë vazhduar t’i përcjellin këto dy shtete dhe shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor edhe pas heqjes së regjimit të vizave.

Në dokumentin punues të KE-së, në të cilin monitorohet situata pas liberalizimit të vizave në vendet e Ballkanit Perëndimor, të publikuar më 30 maj 2011, 2 vite pas liberalizmit të vizave për Serbinë dhe Malin e zi, gjendja lidhur me disa nga kriteret të cilat kishin mbetur të pa përmbushura në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke vazhduar përshkrimi i tyre me nota negative.

Në rastin e Shqipërisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, po ashtu problemet kryesore kanë mbetur në fushën e korrupsionit dhe luftës kundër krimit të organizuar. Edhe në rastin e Bosnje e Hercegovinës nuk kishte raste të korrupsionit të nivelit të lartë të cilët ishin dënuar. Raporti vlerësonte se ‘një numër i rasteve të nivelit të lartë që përfshijnë politikanë të lartë dhe nëpunësit civilë janë akoma në fazën e ndjekjes penale’. Për më tepër, Bosnja as pas marrjes së liberalizimit të vizave nuk e kishte të themeluar as Agjencinë Kundër Korrupsion.

Rasti i Ukrainës dhe Gjeorgjisë

Ukraina dhe Gjerorgjia ndonëse ende pa u definuar vijat kufitare, BE-së kjo nuk i doli pengesë që t’u liberalizohen vizat, gjë që përcaktimi i kufijve ishte bërë kusht kryesor për Kosovën.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan në vitin 2017 liberalizimin e vizave për qytetarët e Ukrainës. Për Republikën e Moldavisë udhëtimi pa viza hyri në fuqi në prill 2014, për Gjeorgjinë në mars 2017 dhe për Ukrainën në qershor 2017. Si në rastin e Ukrainës, edhe në atë të Gjerogjisë, vlerësimi nga KE për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave ishte bërë në dy faza: Raporti i fundit i KE-së për Gjeorgjinë (8 maj 2015) ishte i pari që vlerësoi zbatimin në praktikë të këtyre kritereve. Në këtë raport vërehej që një numër i kritereve për blloqe mbeten të papërmbushura tërësisht. Çështje e rëndësishme që pritej të adresohej në të ardhmen përfshinin edhe luftimin e korrupsionit, kriter i cili vlerësohet të ishte përmbushur vetëm pjesërisht. Këtu specifikohen reformat dhe nevoja për transparencë në prokurimin publik. Tjerë shembuj përfshijnë zbatimin më efektiv të kornizës ligjore për konfiskim të aseteve si dhe fuqizimin e kornizës legjislative dhe zbatimin e saj mbi lëvizjen ndërkufitare të parasë me qëllim të luftimit të shpëlarjes së parasë.

Propozimi i miratuar sot lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024, do të jetë në rend dite në takimin e përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së, që do të mbahet të mërkurën. /Demokracia.com/

Shpërndaje në

U Kopjua