Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Kastriot Gegaj dhe Kushtrim Ademi, lidhur me akuzën se ndihmuan ish-gjyqtarin, Kolë Puka ta fsheh pasurinë e përfituar nga aktiviteti kriminal.
Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të mërkurën, nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sa i përket dënimit plotësues apo konfiskimit, gjykata konstaton se kjo çështje është vendosur njëherë me vendimin e kësaj gjykate dhe është çështje e gjykuar.
Trupi gjykues këtë aktgjykim e mori pas analizimit të të gjitha provave dhe shkresave të lëndës, duke gjetur se në mungesë të provave, nuk janë përmbushur elementet e veprës penale.
Ndryshe, në këtë rast po akuzohen edhe Ilir Gegaj dhe Tomë Puka, mirëpo pasi që të akuzuarit ndodhen jashtë vendit, ndaj tyre ishte veçuar procedura në seancën e mbajtur më 28 mars 2022.
Po ashtu, në këtë rast akuzohej edhe Z.P, mirëpo ndaj të njëjtit është pushuar procedura penale për shkak të vdekjes së tij, pasi që një gjë e tillë është vërtetuar nga certifikata e vdekjes për të njëjtin, e lëshuar nga Komuna e Klinës.
Sipas aktakuzës së ngritur në nëntor të vitit 2012, nga Prokuroria Speciale, Ilir Gegaj, Kastriot Gegaj, Z.P, Kushtrim Ademi dhe Tomë Puka, thuhet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për të akuzuarin në raste tjera Kolë Puka, ish- gjyqtar në Gjykatën Komunale në Klinë kanë ndihmuar që të fshihet pasuria e këtij të fundit e përfituar kundërligjshëm.
Tutje, sipas aktit akuzues të pandehurit duke i ditur këto rrethana i kanë ndihmuar ish-gjyqtarit Puka në atë mënyrë që pasurinë e tundshme dhe të patundshme, të cilën e ka përfituar me mjetet financiare të përfituara me aktivitet kriminal, i kanë marrë në posedim duke mos i shfrytëzuar fare me qëllim që ta fshehin ose maskojnë mënyrën e përfitimit të pasurisë nga ana e ish-gjyqtarit Puka.
Aktakuza thotë se të akuzuarit e lartcekur përmes kontratave fiktive, padive fiktive kanë marrë në posedim pasuri dhe atë duke përfshirë (banesa, vetura, ngastra kadastrale, ngastra kadastrale në Ulqin etj.), gjithnjë duke tentuar të fshehin pasurinë që ka përfituar ish-gjyqtari Kolë Puka.
Ish-prokurori special Ali Rexha me ngritjen e kësaj aktakuze i ka propozuar gjykatës që të konfiskohen asetet e përfituara nga ish- gjyqtari Kolë Puka e që janë tentuar të fshiheshin nga të akuzuarit e lartcekur.
Më këtë aktakuzë, ish- prokurori Rexha ka kërkuar që të konfiskohen: patundshmëria në Ulqin- Mal i Zi në sipërfaqe prej 308 m2 ndaj të pandehurit Ilir Gegaj, banesa në Klinë 72 m2 dhe vetura “Audi A6” ndaj të pandehurit Kastriot Gegaj, patundshmëria në Ulqin 171 m2 ndaj të pandehurit Z.P, shtëpinë 2 katëshe , truall në Klinë, lokalin afarist prej 39.86 m2 në Klinë ndaj të pandehurit Tomë Pukaj.
Sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Shpëlarjes së parave” nga neni 32, pika 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, e cila vepër penale më parë ka qenë e sanksionuar me nenin 10.2 të rregullores së UNMIK-ut 2004/2.