Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se dalja e Sllovisë dhe një pjesë e daljes së Konjuhit, që të dyja në Komunë të Lipjanit janë në prishje.
“Të dy daljet janë nëntokësore për çka nevojitet prerje e asfaltit për ti rregulluar. Fatkeqësisht, Komuna e Lipjanit nuk po jep leje që ato të sanohen, duke bërë që mbi 3 mijë konsumatorë të mbesin pa energji elektrike”, njofton KEDS, derisa ka shtuar se është i gatshëm të intervenojë dhe t’i sanojë ato në momentin që të merr lejet përkatëse.
KEDS njofton se daljet janë prishur nga mingarkesat.
“Fillimisht ishte prishur një pjesë e daljes së Konjuhit, para rreth një muaji. Komuna nga atëherë nuk ka dhënë leje për intervenim. Për të mos i lënë konsumatorët pa energji në pikun e dimrit, KEDS e kishte transferuar furnizimin e tyre në dy dalje tjera”, thuhet tutje në njoftimin e KEDS-it.
Mes tjerash KEDS njofton se për shkak që komuna nuk ka dhënë leje për kohë të gjatë, kjo ka bërë që të mbingarkohet edhe dalja e Sllovisë, duke u shkaktuar prishje edhe aty.