Live

Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë për “ngritjen e rrezikshme të tensioneve në Kosovë”, njofton Stano

14:16 / 12 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian sot (të hënën) do të diskutojnë “për ngritjen e rrezikshme të tensioneve në Kosovë”, bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Para takimit ministror, edhe Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borell, ka thënë se prishja e tillë e paqes publike dhe dhuna janë të papranueshme dhe se palët duhet t’i kthehen tryezës së bisedimeve.

“E di që të dyja palët janë të gatshëm për deeskalim dhe fuqishëm i nxis ta bëjnë këtë. Kam qenë në kontakt me Kryeministrin Kurtiu, Ndërmjetësin Lajçak, i cili ka qenë në kontakt me Presidentin e Serbisë. Këso shqetësimesh të paqes publike dhe dhuna janë të papranueshme. Ata duhet t’i kthehen Dialogut”, ka thënë Borell.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, para takimit ka thënë se Kosova bëri hapin e saj me shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa tani Serbisë i mbetet të bëjë hapin e saj për deeskalim.

Kosova me vendimin e saj për të shtyrë zgjedhjet ka vendosur sigurinë e qytetarëve në rend të parë, ka thënë ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Për gjendjen aktuale në pjesën veriore të vendin, ku vazhdojnë të mbeten barrikadat, ministrja gjermane e përgjegjësinë më të madhe ia la Serbisë.

“Në njërën anë është Qeveria e Kosovës e cila ka shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale atje, duke vendosur sigurinë e qytetarëve në prioritet […] Kemi anën tjetër, atë të serbe e cila vazhdon ta mbajë këtë gjendje. Prandaj ajo është më shumë përgjegjëse”, tha ministrja.

Ajo i bëri apel palës serbëve të bëjë ç’të jetë në mundësitë e saj që të vendos si prioritet mbrojtjen e qytetarëve. “Është punë e politikës që të krijojë siguri për qytetarët dhe kjo situatë është përgjegjësi e Qeverisë së Serbisë”.

Edhe të dielen ministrja gjermane reagoi ndaj situatës së krijuar në vend, ku Kosovës i dha atribute konstruktive përkundër Serbisë, sugjerimin e të cilës për të dërguar trupa serbe “sipas Rezolutës 12/44” ajo e quajti “krjetësisht të papranueshme”.

“Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm”, ka shkruar ajo në Twitter.

Shpërndaje në

U Kopjua