Live

Ministri Mehaj përgënjeshtron Vuçiqin për deklaratat e tij se janë parë dronë mbi zonën e Merdarit dhe Rashkës

22:30 / 01 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka përgënjeshtruar Aleksandër Vuçiqin për deklaratat e tij se janë parë dronë duke fluturuar mbi zonën e Merdarit dhe rrethinën e Rashkës.

Mehaj ka reaguar në Facebook duke thënë se pretendimet e presidentit serb “janë plotësisht të pavërteta, dhe çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”.

Mehaj ka shtuar se Vuçiqi po tenton ta kthejë vëmendjen në një temë që nuk është më brendë e serbëve dhe se po tenton destabilizimin e Kosovës duke ngjallur frikë te serbët.

“Fillimisht për tentim kthimin e vëmendjes në një temë që nuk është më brengë e qytetarëve të Serbisë, të cilët tashmë kanë pranuar realitetin e ri të shtetit të Kosovës, dhe pakënaqësitë e tyre kanë të bëjnë më tepër me mirëqenien e tyre nën udhëheqjen e Vuçiq sesa me rezultatet e dialogut”.

“Dhe së dyti, tentim destabilizimin e Republikës së Kosovës përmes ngjalljes së frikës tek komuniteti serb, qytetarët tanë, për gjoja masat e dhunshme që priten të ndërmerren nga ana e institucioneve të qeverisë, tek të gjithë ata që përdorin targa ilegale të Serbisë, e të cilat ua rikujtojmë se janë të tilla, ilegale, pasi janë në kundërshtimin me marrëveshjen e derivuar nga dialogu në mes të dyja palëve, si dhe në kundërshtim me vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 28.10.2022, në të cilin është vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në tre faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023”.

Mehaj ka thënë se procesi i ndërrimit të targave ka të bëjë me ligjshmërinë në vend dhe rritjen e sigurisë në trafik, dhe jo i drejtuar ndaj ndonjë etnie.

“Respektimi i këtyre masave do të sigurohet nga ana e Policisë së Republikës së Kosovës, si rregulluese e trafikut. Ndërsa ushtria e Republikës së Kosovës, padyshim do të garantoj mbrojtjen e të gjithë shtetasve brenda territorit të Republikës së Kosovës. Çdo veprim i yni është në koordinim të plotë me aleatët tanë, në mbrojtje të integritetit teritorial dhe vlerave demokratike evropiane”.

Shpërndaje në

U Kopjua