Live

Mungesa e materialit, Sveçla kërkon nga Gjermania të lejojë hyrjen e qytetarëve me pasaportë të skaduar

22:33 / 07 Janar 2023

Nga Kosova Live

Për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta.

Sveçla përmes një letre drejtuar autoriteteve gjermane ka kërkuar që të lejohen qytetarët e Kosovës, të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës.

Ai ka kërkuar që shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani të mund të kthehen nga Kosova në Gjermani pavarësisht skadimit të pasaportës kosovare.

Po ashtu, foshnjat e sapolindura në Gjermani nga prindër me leje qëndrimi në Gjermani, të cilët kanë fluturuar në Kosovë për të marrë pasaportë RKS të paraqiten me këto dokumente: leje qëndrimi e vlefshme gjermane e njërit prej prindërve që udhëton me foshnjën, certifikata gjermane e lindjes së foshnjës, certifikata kosovare e lindjes.

Ministri Sveçla ka kërkuar që këto masa të vlejnë në muajin qershor 2023, ose më herët nëse zgjidhet çështja e mungesës së materialit për dokumente identifikuese.

Në fillim të letrës të siguruar nga Kallxo.com thuhet se fillimisht për shkak të çështjeve të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga mungesa e materialeve si rezultat pandemisë e më pas edhe luftës në Ukrainë, Kosova si shumë vende të tjera janë duke u përballur me mungesë të materialit për dokumente identifikuese.

“Për shkak të kësaj një numër i qytetarëve kosovarë nuk mund të pajisen me pasaporta të reja ose t’i rinovojnë ato me afat të skaduar”, vazhdon letra e cila mban datën 21 dhjetor 2022.

Sveçla ka potencuar në letër se kompania e kontraktuar për furnizim me material për dokumente identifikuese nuk ka qenë në gjendje të sigurojë materialin e nevojshëm.

Qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë duke u përballur me pritje të gjata për t`u pajisur me dokumente personale si patentë-shoferë, letërnjoftime e pasaporta.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo është shkaktuar si pasojë e mungesës së materialit për prodhimin tyre.

Ai ka thënë se Agjencia e Regjistrimit Civil i kanë dhënë prioritet lëshimit të dokumenteve për kategori me urgjencë që do të thotë, rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimit familjar, rastet e aktiviteteve sportive e diplomacia, pra këto kategori kanë prioritet.

“Për qytetarët tjerë më vjen keq por duhet ti përshtatemi rrethanave që po jetojmë. Jam duke punua me kompaninë që të furnizojë veten me lëndën e parë dhe pastaj të prodhojë dokumentacion e nevojshëm që me sjellë në Kosovë”, ka shtuar tutje ministri i Punëve të Brendshme.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...