Live

NË PËRKUJTIM TË EKONOMISTIT ISMAIL KASTRATI-PËRHERË NË SHËRBIM TË INTERESAVE MADHORE TË POPULLIT

15:35 / 18 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Shkruan: Nuhi Bytyçi

Lajmi për vdekjen e intelektualit, ekonomistit të shquar, ish-kryetarit të Këshillit

Qendror për Financim të Kosovës, të Odës Ekonomike të Kosovës dhe ishZëvëndësministrit të ekonomisë dhe financave në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Ismail Kastratit, ka jehuar me dhembje të madhe në Kosovë dhe në mbarë hapësirën etnike shqiptare. Ismaili mbahet mend si ekonomist i zoti dhe drejtues i disa institucioneve ekonomike e financiare në Kosovë me rëndësi para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.                                                                                                        

Si gazetar kam pasë rastin që me Ismail Kastratin të takohem, të realizoj disa intervista për Televizionin Shqiptar dhe Radiotelevizionin e Kosovës. Përherë ishte i gatshëm që të ofronte informacione profesionale, të qëndrueshme dhe optimiste për mbështetjen  – financimin e institucioneve arsimore, shëndetësore, kulturore, informative dhe të institucioneve tjera paralele që vepronin në Kosovë, në rrethana të ekupimit serb. Më kujtohet kur me mbështetjen e Ismailit kam realizuar disa emisione për funksionimin e arsimit shqip në Kosovë, të Këshillit Qendror për

Financim dhe të disa emisioneve tjera televizive për Televizionin Shqiptar në

Tiranë në vitet 90-ta, pra para luftës.                                                                                         

Ndërkaq, gjatë periudhës më të vështirë, asaj të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave ushtarake dhe policore serbe, Ismail Kastrati ishte në krye të Këshillit për Financim të Kosovës, që faktkisht ishte një lloj ministrie e ekonomisë dhe financave, ai me bashkëpunëtorët e tij ishin në mbështetje të plotë të luftëtarëve të lirisë, sidomos të popullatës civile në zonat e luftës. Mbështetja ishte  përmes Këshillit të Emergjencës të Kosovës, i cili ishte formuar pas shpërthimit të luftës frontale në mars të vitit 1998 dhe që drejtohej nga Selatin Novosella, duke siguruar mjete financiare për mbijetesën e popullatës civile në zonat e luftës në mbarë Kosovën. Në këtë drejtim kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë edhe djali i vëllait të Ismailit – Kryetari i Këshillit të Emergjencës për Komunën e  Prishtinës,  veprimtari i shquar dhe eprori i Ushtrisë Çlirimtare të

Kosovës, dëshmori i lirisë Prof. Isa Kastrati.                                                                                    

Ismail Krastrati  ka ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare tlë Kosovës në forma të ndryshme. Kam qenë dëshmitar i një takimi dhe i iniciativës së Kastratit për të siguruar edhe uniforma për UÇK-në nga shoku i tij dhe afaristi preshevar Selajdin Mustafa. Ismaili si njeri i sinqert, serioz, i vendosur dhe atdhetar, kishte përkushtim të veçantë për mbështetjen konkrete logjistike të luftëtarëve të lirisë dhe të institucioneve humanitare që vepronin në Kosovën e trazuar. 

Mbështetja e ekipit televiziv në zonat e luftës nga Ismail Kastrati 

Gjatë periudhës së luftës 1998-1999, kur Kosova ishte në shtetrrethim të plotë nga ushtria dhe policia serbe, disa herë jam takuar dhe kam bashkëpunuar me Ismail

Kastratin, i cili në atë kohë ishte në krye të Këshillit Qendror për Financim të Kosovës. Pas formimit të ekipit televiziv për të raportuar nga zonat e luftës, fillimisht në Drenicë, e pastaj edhe në Llapushë, Ana Drini, Dukagjin, Llap, Shalë, Neredime dhe zona tjera, për të sjellur imazhe në Televizionin Shqiptar dhe në mediat botërore të luftëtarëve të lirisë – UÇK-së dhe të mbijetesës së popullatës civile në këto zona, një ditë marsi të vitit 1998 takohem me Ismailin në zyren e tij në afërsi të bllokut të parë të banesave në Prishtinë. I tregoj për nismën time që si gazetar, fillimisht bashkë me kameramanin Sadik Shabanin  e pastaj deri në fund të luftës me kameramanin Abaz Zekën të shkojmë në Drenicë dhe në zonat e tjera për të realizuar emisione televizive për të vetmen dritare të informimit në atë kohë – Programin Satelitor të Televizionit Shqiptar në Tiranë. I kërkoj mbështetjen e tij dhe të Këshillit Qendror për Financim të Kosovës për mbulimin e shpenzimeve për blerjen e kasetave profesionale dhe të disa shpenzimeve elementare të ekipit televiziv me rastin e realizimit të emisioneve për TV Shqiptar. Ismaili pa asnjë hezitim shprehu gatishmërinë e plotë të tij dhe të anëtarëve të KQ për Financim për mbulimin e shpenzimeve të domosdoshme dhe për funksionimin e ekipit televiziv gjatë periudhës së luftës. Ai kërkonte që çdo kërkesë të jetë zyrtare, me shkrim dhe të kaloj nëpër procedurat e rregullta të Këshillit Qendror për Financim. Kështu edhe vepruam dhe arritëm që të sigurojmë mbështetjen e parezervë të KQFK-së dhe kështu të krijohen kushtet elementare për funksionimin e ekipit tonë televiziv.       

Një mbështetje e tillë, sidomos e Ismail Kastratit për mua dhe kolegët e mi, Migjen Kelmendin, Abaz Zekën, Ergyn dhe Ekran Dobërçani dhe anëtarët e tjerë  të angazhuar herpëpashere, padyshim ishte kurajo edhe më e madhe që të shkojmë në zonat e luftës dhe të montojmë dhe transmetojmë në ekranin e TV Shqiptar  të gjitha ato imazhe, kronika dhe emisioen televizive nga lufta frontale e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave pushtuese serbe, takimet e drejtuesve politikë dhe ushtarak të UÇK-së me diplomatët amerikanë e evropianë, mbijetesën e popullatës civile në malet e Kosovës, solidaritetin humanitar të shoqatave dhe institucioneve tjera humanitare ndërkombëtare, masakrat mbi popullatën civile shqiptare, si dhe zhvillimet e tjera në zonat e luftës në mbarë Kosovën. Mund të them lirisht se pa mbështetjen e Ismail Kastratit ishte i pamundur realizimi i misionit tonë tejet të rëndësishëm për informimin e opinionit shqiptar dhe atij botëror lidhur me luftën e lavdishme të UÇK-së për liri e pavarësi. Mbaj mend fjalët e Ismailit: „Nuhi, ju përgëzoj për punën që po e bëni me kolegët tu. Vetëm punoni, sepse do ta keni mbështetjen time të plotë për këtë!“ Ai më tregonte se kishte mbështetje edhe nga anëtarët e tjerë të Këshillit Qendror për Financim, sidomos të Marte Palokajt, Bedri Prishtinës, Shaip Krasniqit, Selajdin Nuhiut, Eset Mazrrekajt dhe të anëtarëve të tjerë. Nuk duhet harruar as mbështetjen e Qeverisë Bukoshi, të ministrit të informacionit Xhafer Shatrit dhe të Komisionit për Financa të Kuvendit të atëhershëm të pa konstituuar të Kosovës, udhëhequr nga Naip Zeka dhe Fatmir Rexhepi, me bashkëpunëtoren e tyre, Mavlyde Mahmuti-Ajeti. 

Bashkëpunimi me Ismail Kastratin pas çlirimit të Kosovës

Kur  pas çlirimit të Kosovës jam takuar me Ismail Kastratin në lagjen Velania në Prishtinë, ku fillimisht ishte selia e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, kur ai ishte zgjedhur Zëvëndësministër i Ekonomisë dhe Financave të kësaj qeverie, e kam përgëzuar për këtë detyrë të merituar dhe njëherësh e kam falënderuar për mbështetjen konrete të tij ekipit tim televiziv me qëllim të realizimit të suksesshëm të misionit tonë në interes të publikut të gjerë gjatë luftës sonë çlirimtare. Ai me modestinë e tij më tha: „Faleminderit Nuhi. Unë jam krenar që e kam kryer  obligimin tim për të mbështetur ekipin tënd dhe ju e keni merituar këtë mbështetje, e cila ka qenë shumë e vogël në krahasim me punën e jashtëzakonshme që keni

bërë gjatë luftës në informimin profesional të opinionit.“                                                                Derisa ishte kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, në maj të vitit 2000, kur unë dhe Abaz Zeka filluam të angazhohemi në Radiotelevizionin publik të Kosovës, Ismail Kastrati na ftoi që të përcjellim vizitën e parë zyrtare të delegacionit të Odës Ekonomike të Kosovës në Kroaci dhe Slloveni. Ftesën e zotri Kastrati e pranuam me kënaqësi dhe ishim krenarë që tani në rrethana krejtësisht tjera, në liri të bashkëpunojmë dhe ta mbështesim veprimtarinë e Odës Ekonomike të Kosovës dhe të projekteve të saj për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës së shkatërrruar në luftë nga forcat serbe. Gjatë kësaj vizite Ismail Kastrati është angazhuar për një bashkëpunim konkret të ndërmarrjeve ekonomike të Kosovës me 

ndërmarrjet ekonomike të Kroacisë dhe të Sllovenisë me qëllim të rimbëkëmjes së ekonomisë sonë të re.                                                                                                                        

Kur në mars të vitit 2019 botova memoaret e mia me titull „Libri i luftës“, takohem me mikun tim të kohëve të vështira – Ismail Kastratin në restoranin „Bukatore“ në Breg të diellit dhe me kënaqësi ia dhuroj një ekzemplar të tij. Natyrisht se ai ishte një nga personazhet e memoareve të mjia dhe i erdhi shumë mirë që edhe në këtë libër kisha prezantuar punën time si gazetar dhe mbështetjen që ma kishte dhënë në mënyrë të veçantë Ismaili në rrethana lufte. Edhe Ismaili mi dhuroi disa libra të tij nga fusha e ekonomisë dhe e financave në Kosovë. Kështu, si miqë të vjetër, këmbyem disa kujtime të veçanta nga koha e bashkëpunimit në rrethana okupimi, të cilat dëshmojnë shembullin më të mirë se çfarë efektesh mund të japë kur njerëzit profesionistë, të përgjegjshëm dhe atdhetarë dinë kur duhet të mbështesin projektet me interes të përgjithshëm.                                                                            

Mund të them se për Ismail Kastrati ruaj kujtimet më të mira të mundshme si ekonomist, intelektual dhe veprimtar i dalluar i çështjes sonë kombëtare.                          

Ai përherë ishte në nivel të detyrës, i përkushtuar, i vendosur, i ndershëm dhe në shërbim të ineteresave madhore të popullit. Familja Kastrati duhet të jetë krenare me veprimtarinë e tij në të gjitha periudhat, e sidomos të asaj të rezistencës së armatosur për liri e pavarësi.                                                                                                         

Faleminderit miku im Ismail. Lavdi!

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...