Live

Nis largimi i barrikadës te “Shkëmbi i Dudës”

15:34 / 03 Janar 2023

Nga Kosova Live

Liria e lëvizjes në veri, ende nuk është kthyer plotësisht.

Misioni i NATO-s në Kosovë KFOR ka bërë të ditur se po kryen aksion për largimin e automjeteve që kanë mbetur në rrugët në veri.

Bëhet fjalë për lokacionin pranë Shkëmbit të Dudës, ku po vazhdojnë të qëndrojnë ende disa kamionë të djegur, që kanë shërbyer si barrikada.

Në disa fotografi të publikuara shihen se pjesëtarë të KFOR-it, të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), dhe të Policisë së Kosovës tek lokacioni i njohur si “Shkëmbi i Dudës”, ku pritet heqja e kamionëve të djegur.

Pjesa më e madhe e barrikadave në veri u hoqën nga vetë ata që i kishin vendosur.

Të maskuar, pasditen e së enjtes, serbët filluan me heqjen e barrikadave, njëzet ditë pasi mbajtën të bllokuar këtë pjesë.

Për njëzetë ditë me radhë, gjashtëmbëdhjetë barrikada të vendosura kohë pas kohe bllokuan lëvizjen e lirë të qytetarëve në veri të Kosovës. Serbët filluan heqjen e tyre, vetëm pasi ish-polici serb i arrestuar për terrorizëm, Dejan Pantiq, u lirua në arrest shtëpiak.

Shpërndaje në

U Kopjua