Live

Nuk kalon propozimi i opozitës që projektligji për KPM-në të tërhiqet nga rendi i ditës së seancës së sotme të Kuvendit

11:49 / 27 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Partitë opozitare kanë kërkuar që të tërhiqet nga rendi i ditës projektligji për KPM-në.

Nga LDK, PDK dhe AAK kanë thënë se kalimi i këtij projektligji mund t’i kushtojë Kosovës dhe perspektivës së saj evropiane.

Propozimi është bërë nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, mirëpo nuk ka kaluar në Kuvend, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha qeveria duhet të tërhiqet nga ky projektligj dhe ai duhet ti kthehet komisionit në mënyrë që të harmonizohet me rekomandimet e BE-së.

“Cenimi i lirisë së mediave është një prej goditjeve  më të mëdha që mund t’i bëjmë agjendës tonë  evropiane dhe zhvillimit të brendshëm si shoqëri. Unë besoj që sot ju duhet të keni kurajon pas reagimit të djeshëm dhe për hir të agjendës tonë evropiane e perspektivës tonë që ky projektligj të tërhiqet. Duhet të ulemi dhe të gjejmë një frymë të përbashkët të komunikimit dhe në fundi mos të jetë diçka që do të na faturohet dhe nga raporti i BE-së për vendin. Është e palogjikshme që të vazhdojmë punën nëse këto tri kërkesa vazhdojnë të mos largohen nga rendi i ditës. Ju kërkojmë të reflektoni dhe pastaj ta vazhdojmë seancën”, tha Tahiri

Gjatë ditës, në një konferencë për media, kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë kritikuar projektligjin për KPM-në duke bërë thirrje që Qeveria të tërhiqet nga ky projektligj.

Kusari tha se “pasoja kryesore nga ky projektligj është zvogëlimi i pluralizmit medial”.“ Kërkesa të njëjta pati edhe Rexha, i cili po ashtu ftoi opozitën të ketë zë më kritik kundër projektligjit.

“Kemi parë edhe gjatë diskutimeve që janë bërë për Komisionin e Pavarur të Mediave që nuk ka pasur interesim të opozitës për të qenë pjesë, shpesh ata kanë munguar. Nuk kemi parë interesim të tyre për të ngritur zërin kur është dashur”, tha Rexha.

“Kemi pritur një zë më të fuqishëm të opozitës, dhe presim që ata të reagojnë. Presim që t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore që i ka në dispozicion për ta kundërshtuar këtë projektligj për shkak të dëmit që po ia sjell Kosovës”, tha Rexha, transmeton Reporteri.net.

Të mërkurën, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ngriti shqetësime për Projektligjin mbi Komisionin e Pavarur të Mediave, duke deklaruar se nuk reflekton shumicën e rekomandimeve nga Opinioni Ligjor i Këshillit të Evropës.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se është për keqardhje që nuk janë marrë parasysh rekomandimet e saj për projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

“Gjithashtu, versioni aktual i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i Komisionit të Pavarur për Media, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve. Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës”, u tha në reagimin e BE-së.

Shqetësim për këtë projektligj shprehu edhe komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty. Ai në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, ka deklaruar se projektligji për Komisionin e Pavarur për Media rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

Ai ka thënë se pavarësisht disa ndryshimeve, projektligji i propozuar i KPM-së ende nuk përfshin disa rekomandime kyçe nga Këshilli i Evropës në opinionin e vet ligjor.

“Nëse miratohet, ligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias për shkak të qëllimit të tij të paqartë, përkufizime të paqarta, sanksione të paparashikueshme dhe dispozita problematike për dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme”, ka thënë O’Flaherty për gazetën online Reporteri.net.

Me qëllim që të përmirësohet në aspektin e të drejtave të njeriut, sipas tij, projektligji duhet të kalojë nëpërmjet procesit të konsultimit të gjerë me shoqërinë civile, ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare.

Në muajin maj, AGK-ja i kishte kërkuar Kuvendit që ta përmirësojë projektligjin për KPM-në pas reagimit nga Këshilli i Evropës.

“Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në njoftimin e AGK-së të publikuar më 27 maj.

Në anën tjetër, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se nëse ky projektligj nuk ndryshon, atëherë do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky projektligj ka për qëllim kontrollin e mediave të pavarura.

Shpërndaje në

U Kopjua