Live

Para një muaji filloi greva, sindikatat dhe opozita ia ‘prishin’ dasmën partiake Kurtit

15:18 / 25 Shtator 2022

Nga Kosova Live

Nënkryetari i SBASHK-ut Ymer Ymeri iu kundërpërgjigj deklaratave të sotme të kryeministrit Kurti, i cili akuzoi sindikatat se janë instrumente të PAN-it.

Nënkryetari i SBASHK-ut, tha se në kohën e PAN-it kanë mbajtur grevë tri javore, ndërsa janë përkrahur nga opozitari i atëhershëm, Albin Kurti.

“SBASHK-u i ka 25 mijë e 300-400 sindikalistë. Këta sindikalistë në kohën kur koalicioni PAN ka qenë në Qeveri e kryeministër ka qenë Ramush Haradinaj, kanë bërë grevë 3 javë për të drejtën e Ligjit të Pagave, e din opinioni krejt. Në atë kohë kur këta sindikalistë kanë bërë grevë kundër qeverisë Haradinaj për t’i realizuar të drejtat e veta, kryeministri i tanishëm, atëherë në opozitë, Kurti ka qenë gjithmonë krah i këtyre grevistëve dhe e ka përkrah grevën 3 javore që në atë kohë e kanë bërë të njëjtit sindikalistë, që ai sot po i quan si të PAN-it”, tha Ymeri.

Ai shton se nëse Kurti mendon që me këto deklarata mundet të bëjë përçarje në sindikatë ose të tentojë të ndërrojë udhëheqësit, sipas Ymerit, “qasja e tij është shumë e gabuar”.

Sot janë bërë një muaj prej kur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur grevë të përgjithshme në vend. Prej asaj kohe, SBASHK-u është takuar një herë me presidenten Osmani, dy herë me kryeministrin Kurti, disa herë ministrat Murti e Nagavci, mirëpo asnjë takim nuk ka prodhuar një zgjidhje për ndaljen e grevës. E pasuksesshme ka përfunduar edhe përpjekja e kryesindikalistet evropiane, Susan Flocken, e cila ‘ndërmjetësoi’ një takim mes Kurtit e kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jashara

 Me një reagim doli edhe nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku.

“Si duket Kurti e ka problem ta kuptojë që në Kosovë ka organizata, sindikata, media, shoqata të pavarura, të cilat nuk nënshtrohen. Si duket e ka problem të kuptojë që ka njerëz që vendimet i marrin vet. Si duket e ka telashe me e pranu që jo të gjithë ia kanë frikën”, shkruan ajo./kosova.live

Shpërndaje në

U Kopjua