Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryediplomaten Donika Gërvalla kanë takuar sot në Mynih kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe shefen e diplomacisë franceze, Catherine Colonna.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se në këtë takim është biseduar për raportet Kosovë-Serbi dhe për përgatitjet që po bëhen për takimin e radhës në Bruksel.
Gjithashtu edhe për propozimin franko-gjerman të cilin Qeveria e Kosovës thotë se tashmë e ka pranuar si bazë të mirë për diskutime të mëtejme dhe kornizë solide për të ecur përpara.
“Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kancelarin Scholz dhe ministren Colonna se Qeveria e Republikës së Kosovës së fundmi ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara me 3 nëntor në Berlin, që së shpejti do të ratifikohen edhe në Kuvendin e Kosovës.