Live

Përplasje verbale mes Gashit të LDK-së dhe Thaçit të VV-së

19:33 / 02 Maj 2024

Nga Kosova Live

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, është përplasur me deputetin e Vetëvendosjes, Halil Thaçi pas fjalimit në foltore.

Derisa Gashi thoshte se Kurti ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, deputeti e pyeste se “a është ky kryeprokurori që nuk po i ngrit aktakuzë Radojçiqit”.

“Kur flasim për presionin dhe ndërhyrjet e politikës, me automatizëm shkon mendja te ndërhyrja e kryeministrit nga kjo foltore ndaj një institucioni të pavarur siç është prokuroria e Shtetit, ku kryeministri deklarohet se ‘pa pëlqimin tim, presidentes dhe kryetarit të kuvendit filan fisteku nuk do të jetë kurrë kryeprokuror’. Kjo është ndërhyrje direkte në sistemin e drejtësisë”, ka thënë deputeti Gashi gjatë fjalimit.

“A është ai prokuror që nuk po i ngrit aktakuzë Radojçiqit? A është ai?”

Pas ndërhyrjes së deputetit, Gashi e ka cilësuar si “i paaftë mendor”.

“Pse ky kryeministër kapet me kryeprokurorin e shtetit, sepse… Vazhdo bërtit se unë kam durim me dëgju edhe të paaftë mendorë si puna jote… sepse i drejtohet luftës së korrupsionit dhe ky korrupsion i kryeministrit është galopant.”

Më pas deputeti i VV-së, Halil Thaçi, tha se po bëhen 222 ditë që nga sulmi në Banjskë dhe që nuk është ngritur aktakuzë ndaj Radojçiqit.

“Duhet Blerim Isufaj, kryeprokuror i shtetit të dalë publikisht të deklarojë për Millan Radojçiqit. Po e shohim që edhe deputetët e opozitës po mundohen ta pengojnë fjalimin tim këtu sepse po ju pengon dhe po frikësohen se po arrestohet Radojçiqi. Ai do të arrestohet”, tha Thaçi.

Pas tij, fjalën e mori Arben Gashi, i cili i tha Thaçit se Isufaj nuk është kryeprokuror i Prokurorisë së Shtetit.

“E vërteta është që personi në fjalë nuk është kryeprokuror i shtetit, Prokuroria e Shtetit e ka një ushtrues të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, është dikush tjetër kryeprokuror.”

Më pas, Gashi tha për Kusari Lilën që ka komunikuar me Radojçiqin.

“Unë se njoh, për mua është kriminel që duhet të jetë në burg”, tha Gashi.

Shpërndaje në

U Kopjua