Live

Pse ndihemi të uritur natën vonë – Shkenca ka një spjegim

16:37 / 01 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Për shumë nga ne, mëngjesi, dreka dhe darka nuk janë të vetmet vakte gjatë ditës. Është dhe një vakt tjetër, ai i mesnatës.

Pothuajse të gjithë duan të hanë diçka natën vonë dhe studiuesit e Brigham Young University mund ta kenë gjetur përgjigjen, që shkenca nuk e kishte zbuluar deri tani, në studimin e fundit.

Ata ngrenë teorinë që ngacmimet e mesnatës nuk janë fare uri, por një përgjigje për mënyrën si truri proceson ushqimin natën.

Në dy faza, një javë larg njëra tjetrës, studiuesit u shfaqën pjesëmarrësve fotografi ushqimesh me shumë dhe me pak kalori dhe iu kërkuan t’i shikonin gjatë ditës. Ndërkohë që vullnetarët shihnin fotografitë, studiuesit monitoronin aktivitetin e trurit me rreze magnetike.

Në të dy rastet, përgjigjet nervore të pjesëmarrësve ishin më të larta kur shihnin imazhet e ushqimeve me kalori të larta sesa kur shikonin ushqimet me kalori të ulëta. Megjithatë, studiuesëve iu bëri përshtypje që përgjigjet nervore ishin më të dobëta natën, pavarësisht llojit të ushqimit që shikohej. Këto përfundime të publikuara në Brain Imaging and Behavior, tregojnë që sistemet e përmbushjes dhe kënaqësisë së trurit përgjigjen më dobët natën në krahasim me ditën. Dhe kjo mund të shpjegojë pse ne priremi të hamë më shumë dhe ushqime më pak të shëndetshme natën.

Një nga udhëheqësit e studimit, Travis Masterson, ka thënë: Ju mund të konsumoni më shumë ushqim natën, sepse ushqimi nuk jep aq kënaqësi, të paktën vizualisht, në atë pjesë të ditës. Ngrënia natën mund të mos japë shumë kënaqësi, prandaj ti ha më shumë për të arritur të kënaqesh.

Ky nuk është një studim përfundimtar, por informacioni mund të na ndihmojë të përmirësojmë menaxhimin e peshës dhe zakonet e ngrënies.

Shpërndaje në

U Kopjua