Live

Publikohen shpenzimet për tre muaj, VV e para me mbi 334 mijë euro, PDK-ja në vend të dytë dhe LDK-ja e treta

13:47 / 24 Prill 2024

Nga Kosova Live

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet e shpenzimeve të tremujorit (janar – mars 2024) të subjekteve politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, njofton Kosovalive.net.

Sipas këtij ligji, subjektet politike i dorëzojnë këto raporte në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) dhe të njëjtat publikohen në ueb faqen e KQZ-së dhe të subjekteve politike.

Në tre muajt e parë të këtij viti, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar 334 mijë e 427 euro.

Sipas këtij raporti të publikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor, në vend të dytë del të jetë Partia Demokratike e Kosovës.

Kjo parti politike, për periudhën janar-mars 2024 ka shpenzuar 167 mijë e 193 euro.

Lidhja Demokratike e Kosovës nga janari deri në mars, ka shpenzuar 155 mijë e 110 euro, duke u radhitur kështu e treta si parti politike për nga shpenzimet që kanë pasur.

82 mijë e 225 euro është shuma që ka shpenzuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua