Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një fotografi me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton Express.
Këtë fotografi ata e kanë realizuar në Konferencën e Sigurisë që mbahet në Mynih të Gjermanisë, ku dyshja po marrin pjesë.
Sipër kësaj fotografie, Rama ka vendosur flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë dhe një zemër në mes.
Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar mbrëmë për në Mynih të Gjermanisë, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë që mbahet atje.
Sipas njoftimit të ZKM’së, Kurti do të zhvillojë takime me liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh, pjesëmarrës në këtë konferencë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sonte për në Mynih të Gjermanisë, ku do të merr pjesë në Konferencën e Sigurisë. Kryeministri Kurti do të zhvillojë takime me liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh, pjesëmarrës në këtë konferencë”, thuhet në njoftim.
Në një përgjigje me shkrim nga zyra për media e Qeverisë gjermane kanë thënë për Gazetën Express se duke parë reagimet e fundit lidhur me propozimin franko-gjerman, Berlini zyrtar mezi pret që në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të bëhen diskutime për ta çuar përpara propozimin franko-gjerman.
“Duke pasur parasysh reagimet e fundit ndaj këtij propozimi, ne presim me padurim diskutimet në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut për ta çuar përpara këtë iniciativë”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Qeverisë së Gjermanisë.
Ky zëdhënës tutje ka thënë se “synimi është që të zhvillohen bisedime për zbatimin e shpejtë të marrëveshjes”.