Live

Raportohet për kallëzim penal në Gjermani kundër mafias energjetike në Ballkan, përmendet Martin Berishaj

21:25 / 03 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Marin Berishaj, vazhdon të jetë personazhi kryesor i artikujve të publikuar në mediat sllovene.

Duke e nisur me fjalinë: “Të gjitha indikacionet tregojnë se deklaratat tona janë provuar të jenë të vërteta”, mediumi slloven Prava, ka shkruar për një kallëzim penal prej 250 faqesh që është bërë në Gjermani kundër elektromafias ballkanike.

Ndërsa citon një gazetar të njohur serb, Dragoslav Vujiçiq, Prava shkruan se ky i fundit ka nxjerrë këtë informacion në një program të televizionit serb të afërt me regjimin, Happy TV.

“Në programin Mirëmëngjes Serbi, një nga gazetarët më të njohur serbë, Dragoslav Vujiçiq, tha se një kallëzim penal prej 250 faqesh kundër elektromafias ballkanike është bërë në Gjermani,”- ka raportuar Prava

Ndërsa më tej, shkruhet se gazetari serb Vujiçiq, bashkë me ish-pjesëtarin e Shërbimit Sekret Ushtarak të ish-Jugosllavisë, Ljuban Karan, kanë treguar fakte interesante që lidhen me GEN-I slloven dhe biznesin në zonën e Ballkanit Perëndimor

Bëhet e ditur se të dy këta persona kanë dhënë detaje, sidomos nga koha e menaxhimit të kësaj kompanie nga kryeministri aktual Robert Golob dhe Igor Koprivnikar, kryetar aktual i bordit të GEN-I, dhe përfaqësues i të paktën njëmbëdhjetë filialeve të huaja të kompanisë.

Shkruhet se Karan ka treguar se e gjithë afera GEN-I, Berishaj, nuk do të kishte ndodhur pa praninë e shërbimeve të huaja të inteligjencës. Por, ajo që ka befasur më shumë, ishte deklarata e Dragoslav Vujiçiq, për kallëzimin penal në Gjermani, shkruan Nacionale.

Këtu mund të gjeni edhe një video të emisionit në televizionin serb, ku mes minutës së 13-të dhe 15, mund të dëgjoni informacionin e dhënë nga ky gazetar.

Çështja e Martin Berishajt sa shkon e merr dimensione të reja, ku pas zbulimit se filiali i GEN-I në Beograd ka transferuar gati 4 milionë dollarë për kompanitë e MB Consulting në Kosove e Mal të Zi, të dyja në pronësi të Martin Berishajt, mediat sllovene, shqiptare, serbe e malazeze po sjellin vazhdimisht detaje të reja.

Kujtojmë se, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është edhe një ndër personat më të afërt të kryeministrit Kurti. Me fakte të shumta, dihet se është bërë pjesë e një operacioni të dyshimtë bankar me filialin e GEN-I në Beograd, duke tërhequr shuma të mëdha monetare nga llogaritë bankare në Kosovë e Mal të Zi, për të cilat besohet se janë përdorur për të financuar fushatën zgjedhore të Vetëvendosjes.

Shpërndaje në

U Kopjua