Live

Rasti “BREZOVICA”: Lirohet dhëndrri i Liburn Aliut, Berat Lahu

11:37 / 15 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Berat Lahu, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, është liruar sot nga paraburgimi.

Lahu ishte arrestuar më 9 shtator të këtij viti në kuadër të aksionit “Brezovica” të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, raporton Paparaci.

Burime brenda organeve të drejtësisë i kanë thënë Paparacit se Lahu, dhëndër i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, është liruar sot me aktvendim të gjykatës.

Lajmin për Paparacin e ka konfirmuar Valdrin Behrami, avokati mbrojtës i Berat Lahut.

“Gjykata ka shpallur aktvendimin për lirimin e Berat Lahut. Ai do të lirohet sot [e martë] në orën 13:00”, pohoi Lahu në një deklaratë për Paparacin.

Pas arrestimit nën dyshimin për përfshirje në aferën “Brezovica”, ai ishte suspenduar nga funksionet brenda Lëvizjes Vetëvendosje më 23 shtator, 2022. Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë se suspendimi i Lahut do të zgjasë deri në përfundimin e procesit gjyqësor ndaj tij.

Lahu ishte asamblisti më i votuar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të fundit lokale.

Prokuroria Themelore në Ferizaj dyshon se Lahu ka kryer dy vepra penale: “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Shpërndaje në

U Kopjua