Live

Reagon Rusia pas kërkesës së ministrit serb që Beogradi t’i vë sanksione Moskës

16:49 / 14 Mars 2023

Nga Kosova Live

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zakharova, ka kritikuar kërkesën e ministrit të Ekonomisë të Serbisë, Radet Basta, që Qeveria të deklarohet për sanksionet ndaj Rusisë.

“Një qëndrim i çuditshëm: Amerika po i bën presion Serbisë, dhe ministri serb po bën thirrje për t’iu kundërvënë Rusisë. Ndoshta do të ishte më mirë që ministri serb të shprehej fuqishëm kundër presionit ndaj vendit të tij?”, tha Zakharova në kanalin e saj në Telegram, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Reagimi i saj i djeshëm (13 mars) është deri tani i vetmi reagim i Rusisë ndaj kërkesës së ministrit serb.

Zyrtarja e MPJ-së ruse ka vlerësuar se Serbia është duke u përballur me presion sepse, siç tha ai, nuk i është bashkuar embargos së Bashkimit Evropian dhe SHBA-së ndaj Moskës.

“Rusia, ndryshe nga SHBA-të, gjithmonë e ka respektuar Serbinë dhe popullin e saj. Dhe çështja nuk është vetëm në të vërtetën historike, por në faktin e qartë: me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, presioni i SHBA-së ndaj Serbisë nuk do të ndalet, por vetëm do të rritet”, tha Zakharova.

Basta është ministri i parë në Qeverinë e Serbisë, i cili që nga pushtimi rus në Ukrainë, është deklaruar publikisht në favor të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Këtë ai e ka shpjeguar me nevojat e ekonomisë serbe dhe me interesin kombëtar.

“E shoh se sa presion po i bëhet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nuk mund të pranoj që të heshtim”, tha ndër të tjera ministri Basta.

Në biografinë e tij thuhet se është zyrtar i Serbisë së Bashkuar (SB), e cila është partner koalicioni i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) të Ivica Daçiqit.

Këto parti janë në pushtet së bashku me Partinë Progresive Serbe (SNS), lider i së cilës është edhe kreu i shtetit, Aleksandar Vuçiq.

Ivica Daçiq, kreu i SPS dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, njoftoi se partia e tij mbështet qëndrimin e vendosur nga Këshilli Shtetëror për Sigurinë Kombëtare vitin e kaluar.

“Serbia dënon shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, por nuk është në favor të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”, tha Daçiqi më 13 mars.

Ai përkujtoi se këtë politikë e udhëheq publikisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe se lideri i Serbisë së Bashkuar, Dragan Markoviq, ka bërë të ditur se qëndrimi i Bastës nuk është i partisë.

Partia Socialiste e Serbisë është konsideruar një parti pro-ruse që nga themelimi i saj në 1990.

Për këtë temë ka folur edhe zyrtari i SPS-së dhe ministri aktual pa portofol Gjorgje Miliçeviq, por pas lajmit se ka përkrahur propozimin e kolegut të tij Basta në një rrjet social.

Ai shpjegoi për mediat se është bërë gabimisht nga një aktivist partiak që menaxhon llogarinë e tij në internet.

Lëvizja Socialiste (PS), parti e themeluar nga drejtori aktual i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit, Aleksandar Vulin, i kërkoi Bastës dorëheqjen.

“Është veçanërisht e turpshme që Basta fshihet pas Presidentit të Serbisë për të minuar pavarësinë dhe neutralitetin që Aleksandar Vuçiq mbron kundër të huajve dhe frikacakëve të tillë vendas”, tha PS, e cila në një deklaratë e orientoi veten si një “shok i besueshëm i SNS-së”.

Gjatë qeverisjes së SNS-së, Aleksandar Vulin ka mbajtur postet e ministrit të Punëve të Brendshme, Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Drejtorit të Zyrës Qeveritare për Kosovën.

Zorana Mihajloviq, ish-ministre në Qeverinë e Serbisë gjatë qeverisjes së SNS-së, deklaroi se koalicioni qeverisës SNS-SPS duhet të tregojë përkushtim për integrimin evropian.

“Serbia është në problem nëse vetëm një ministër mendon se Serbia duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se është e nevojshme të vendosen sanksione ndaj Rusisë”, tha Mihajloviq.

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të saj në Ukrainë, i cili filloi më 24 shkurt 2022.

Ministri aktual i Ekonomisë, Rade Basta, para se të emërohej në këtë post tetorin e kaluar, ka qenë drejtor i Termocentraleve të Beogradit.

Nga pozita e drejtorit të ndërmarrjes së shërbimeve komunale të Beogradit, përgjegjëse për ngrohjen, ai avokoi për ndërtimin e një termocentrali bërthamor në Serbi në bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në.

Ai kërkoi shfuqizimin e qendrës humanitare serbo-ruse në Nish dhe përgëzoi emërimin e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, në këtë post.

Një pjesë e biografisë së tij është se ai është një ish-oficer policie dhe kick-boxer, dhe një mësues i edukimit fizik. 

Shpërndaje në

U Kopjua