Live

“Rrezik si në kohën e 2013-ës”, KDI: Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje ndikon direkt në Asociacion

13:06 / 28 Mars 2023

Nga Kosova Live

Eugen Cakolli nga KDI thotë se mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prillit në veri do të ketë ndikim në shumë dimenzione.

Cakolli në një prononcim për GazetaBlic theksoi se, ndikim të madh negativ do të ketë së pari në pjesëmarrjen e qytetarëve.

Cakolli shtoi se me vendimin që mori Lista Serbe, rrezikojmë të kthehmi në periudhën para vitit 2013.

“Mos-pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prillit në veri do të ketë ndikim shumë dimenzional. Në numrin e votueseve që do të dalin në zgjedhje, duke e ditur që zakonisht në mesin e votuesve në këto komuna shkon deri në 80% pjesëmarrja në zgjedhje ku shumica kanë votuar për Listën Serbe”, tha Cakolli.

“Mungesa e kandidatëve të Listës Serbe në disa komuna do të ndikojë negativisht në pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje dhe fatkeqësisht rrezikojmë të kthehmi në periudhën para vitit 2013, ku dalja në zgjedhje në komunat veriore ka qenë deri në 3% maksimalisht”, shtoi ai.

Cakolli thotë se Lista Serbe dëshiroi që ta vë në dukje se pa ta, nuk do të mund të ketë përfaqësim politik të serbëve në pjesat veriore të Kosovës, teksa mbështet faktin që nuk ka pas kërkesa as nga ndërkombëtarët që këto zgjedhje të shtyhen tutje.

“Megjithatë, besoj që njëra ndër arsyet kryesore të mospjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje është edhe një tendencë e tyre për të rikonfirmuar se pa ta nuk mund të ketë përfaqësim politik të serbëve në pjesën veriore, por me këtë vendim ata nuk kanë gjetur përkrahje as nga ndërkombëtarët të cilët së fundi kanë shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë për shtyrje të zgjedhjeve në veri”, tha Cakolli.

“Unë vlerësoj që në këtë drejtim Institucionet tona kanë bërë mirë që nuk e kanë vënë as në diskutim mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, sepse jemi treguar konstruktiv njëherë”, shtoi Cakolli.

Sipas Cakolli edhe nëse vetëm 1% e qyetarëve dalin në zgjedhje, do të ketë përcaktime të reja në këto komuna.

“Me një dalje minimale të votuesve në zgjedhje, sigurisht që legjitimiteti i Institucioneve të reja të prodhuara do të jetë i kontestuar, por këto janë rregullat e demokracisë.Meqenëse Kosova nuk ka asnjë lloj pragu minimal të daljes në zgjedhje për t’u cilësuar si të ligjshme, atëherë edhe pjesëmarrja e vetëm 1% të qytetarëve do të jenë përcaktuese në zgjedhjet e reja komunale”, tha Cakolli.

Cakolli e sheh këtë si një mundësi të humbur për komunitetin serb dhe sipas tij vendimi i tyre do të ndikojë direkt edhe në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo është një mundësi e humbur për komunitetin serb për të qenë të përfaqësuar në nivelin lokal, kjo do të ketë ndikim edhe në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse duhet të kujtuar se zgjedhjet në veri do të organizohen në dy komuna edhe për kuvendet komunale, të cilat tashmë nuk janë funksionale dhe duke ditur që Asociacioni do të themelohet përmes një kuvendi që përbëhet nga anëtarët e kuvendeve komunale. Kësisojë këta të fundit do të jenë të përfaqësuar nga komuniteti shqiptar”, tha Cakolli për GazetaBlic.

Shpërndaje në

U Kopjua