Live

Rrustemi, VV: Tentativa e politikanëve për të mbrojtur pasuritë e pajustifikueshme do të dështojë, po e mashtrojnë veten

12:42 / 27 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për Byrojnë shtetërore dhe verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ishte një goditje e madhe për reformën e drejtësisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Para deputetëve të mazhorancës, Rrustemi tha se Ligji ka për qëllim të fundit kthimin e taksave tek qytetarët, taksa këto që siç tha ai janë përvetësuar nga zyrtarë e ish zyrtarë publik që kanë punuar dhe punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Pas 16 muajsh, dje me 16 qershor Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore dhe verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Njoftimi i djeshëm është goditje e madhe për reformën dhe sistemin e drejtësisë. Kjo nismë ka për qëllim luftimin e pakompromis të korrupsionit dhe ka për synim themelimin e një organi siç është Byroja e cila do të verifikojë pasurinë e zyrtarëve publik të fituar në mënyrë të paligjshme nga taksat e qytetarëve. Ligji ka qëllim të fundit kthimin e taksave të qytetarëve që janë përvetësuar nga zyrtarë dhe ish zyrtarë që kanë punuar dhe punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës”, tha deputeti i VV-së

Ai tha se tentativa e zyrtarëve publik dhe politikanëve për të mbrojtur pasuritë e tyre të pajustifikueshme do të dështojë.

“Gjykata Kushtetuese po shfrytëzohet si instrument i vonimit apo pamundësimit të reformave të nevojshme. Qëllimi i dërgimit të Ligjit të Byrosë ka të bëjë me ruajtjen e pasurisë së pajustifikishme të përvetësuar nga zyrtarë e politikanë të cilët po munodhen ti mbrojnë pasuritë e tyre. Tentativa e tyre do të dështojë”.

“Askush që ka përfituar paligjshëm nuk mund të fshihet pas Gjykatës Kushtetuese e as pas pasurisë së paligjshme sado e madhe që të jetë ajo. Ata që po besojnë që përmes Gjykatës Kushtetuese do të pamundësojnë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, e kanë shumë gabim, po e mashtrojnë veten se mund ta gëzojnë pasurinë e paligjshme”, tha Rrustemi para deputetëve të mazhorancës, duke qenë se opozita lëshoi sallën”.

“Këta gjyqtarë nxorrën një vendim që nuk arritën të bindin as kolegët gjyqtarë ( pesë pro dhe 4 kundër)”, shtoi Rrustemi.

Shpërndaje në

U Kopjua