Live

Samiti i Berlinit po mbahet nën dritën e marrëveshjes finale Kosovë- Serbi

11:34 / 02 Nëntor 2022

Nga admin

Liderët e Ballkanit Perëndimor po udhëtojnë drejtë Gjermanisë për të marrë pjesë në Samitin e Berlinit, i cila do të mbahet nesër në kuadrin e iniciativës që ishte nisur nga ish-kancelarja, Angela Merkel, për t’i nxitur e shtyrë përpara kështu marrëveshjet për tregti të lirë midis vendeve të rajonit. 

Nën moderimin e ndërmjetësimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz, liderët e rajonit, përfshirë natyrisht edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje nën garancitë e Berlinit, në mënyrë që shtetet e rajonit të përfitojnë edhe investime qindra miliona euro në fusha të ndryshme, shkruan Kosovalive.net. 

Po ashtu, vendet e Ballkanit Perëndimor presin që në këtë samit të diskutojnë rreth një klimë shtensionimi të raporteve etnike, sidomos kur bëhet fjalë në mes Kosovës dhe Serbisë, për marrdhëniet e tashme thuajse të ngrira mes të dyja vendeve. Gjithashtu thelbi i këtij samiti trajton me fokus të veçantë shtyrjen e përpjekjeve aktive për lirin e qarkullimit tregtar, ekonomik dhe të njerëzve.

Kryeministri Kurti pritet të udhëtojë nga Londra për në Berlin, meqenëse atje realizoi një vizitë zyrtare me sekretarin e jashtëm britanik, James Cleverly. 

Samiti i Berlinit u rikthye si iniciativë edhe nga kancelari i ri gjerman për shkak të hezitimeve që kishin vendet e rajonit, veçanërisht Kosova e Mali i Zi, të cilat refuzuan të marrin pjesë në projektin e Ballkanit të Hapur, iniciativë kjo e mbështetur fort nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. 

Kryeministri Rama në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se “Ballkani i Hapur”, sidoqoftë nuk e zëvendëson në asnjë mënyrë Samitin e Berlinit por ende insiston se kjo mbetet një ide që mëton frymën e njëjtë sikurse samiti i Berlinit për t’i përafruar më shumë vendet që të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme.

Samiti i Berlinit do të mbahet nën pritjet e shtuara së fundi për arritjen e marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë, sipas një projekti franko- gjerman.

Kryeministri Kurti ka qenë i rezervuar duke mos dhënë detaje nga kjo ide, e cila në parim nuk e përmend njohjen e Kosovës nga Serbia.

Ideja franko-gjermane ka marrë hov dhe interesim e po ashtu edhe mbështetje të jashtëzakonshme nga Ëashingtoni, gjë që tregon se BE dhe SHBA ndodhen në të njëjtën linjë sa i takon arritjes së marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

Së fundi në Kosovë hollësi për këtë plan ka folur në detaje ish kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së dhe ish shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së. Haradinaj dhe Hoxhaj thanë se nuk ka më kohë për të humbur dhe marrëveshja bazuar në idene franko- gjermane ka edhe garancinë e Uashingtonit. Tutje sipas Haradinajt, kjo marrëveshje mund të arrihet këtë vit nëse sipas tij Kurti nuk bën ndonjë gjimnastikë zgjedhore.

Ky samit dhe angazhimi i madh i shteteve aleate si ShBA dhe vendeve të BE’së, po ndodhë në një kalendar politikisht të parashikuar me gjasë mjaft mirë, duke e marr për bazë luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Ndoshta, ky është një shans i madh për paqe nëse për marrëveshjen finale pajtohen Kosova dhe Serbia./Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua