Live

“Sanksionet”: Si mund të ndëshkohet Kosova, nëse e refuzon marrëveshjen me Serbinë?

13:27 / 18 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Kosova po i ofrohet fazës kritike të bisedimeve me Serbinë, të cilat parashihen me planin e BE-së. Ndryshe nga herët tjera, BE-ja ka paralajmëruar se përveç “karotave”, mund të këtë edhe “shkopinjtë” apo ndëshkime për palën që refuzon marrëveshjen.

Bllokimi i liberalizmit të vizave dhe pengimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, janë vetëm disa procese në të cilat mund të ndëshkohet Kosova.

Pasojat e një refuzimit të marrëveshjes i ka paralajmëruar edhe kryeministri Albin Kurti dhe monitoruesit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Drejtorin e Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se procesi i dialogut është i ndërlidhur me të gjitha proceset integruese të Kosovës.

Ai ka treguar për gazetën Nacionale, se nga ky dialog varet edhe procesi i liberalizmit të vizave për Kosovën.

“Konsideroj se Kosova është me një udhëkryq të rëndësishëm shtet-ndërtues. Synimet tona për liberalizimin e vizave, anëtarësim në BE, NATO, Këshill të Evropës, etj. është drejtpërdrejt i lidhur me avancimin e dialogut. Është infantile të mendohet se Kosova mund avancoj këto procese pa bërë progres në dialog”, ka thënë ai.

Ai ka bërë me dije se nëse refuzohet marrëveshja, Kosova nuk mund avancoi në këto proces.

“Për të kuptuar këtë nuk duhet të ngremë hipoteza për të ardhmen, por vetëm të njohim të kaluarën: çdo haprim i deri sotëm i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka qenë rezultat i avancimit të dialogut. Dhe në gjithë këtë sfond unë pres pjekuri politike nga të gjithë akterët politik të vendit me qëllim të avancimi të planit euro-amerikan dhe lëvizjen nga status-quoja momentale”, është shprehur ai.

Përfitimet dhe ndëshkimet e mundshme nga ky proces i ka përmendur edhe Blerim Shala, këshilltar i jashtëm i kryeministrit Albin Kurti.

Ai ka thënë se me nënshkrimin e një marrëveshje, Kosovës i hapet rruga për njohjet nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur.

“E vetmja mundësi për të na njohur 5 vendet e BE-së është nëse bëjmë marrëveshje themelore me Serbinë, nuk ka mundësi tjetër. Nëse nuk e bëjmë marrëveshje, por pa fajin tonë, ndodh edhe aty lëviz 5-sshja e BE-së. Nëse shihet qartë që Serbia është fajtore pse nuk po e bënë marrëveshje me ne, mendoj se disa shtete mund të lëvizin. Për ne me rëndësi është të thyhet ky unitet”, ka thënë Shala në emisionin Rubikon.

Ai ka përmendur edhe përfitimet tjera, nëse nënshkruhet kjo marrëveshje.

“Përfitimet janë të mëdha nëse behet marrëveshja. 5-shja mund të lëviz, nuk kemi garanca. Çfarë është e sigurt është se në mund të bëhemi anëtarë të Këshillit të Evropës, që nuk është punë e vogël. Mund të bëhemi anëtarë të Katrës Adriatik 5 për bashkëpunim ushtarak, mund ta marrin Partneritetin për Paqe brenda një periudhe relativisht të shkurtër dhe mund të hyjmë në Aleancën Veri-Atlantike Brenda një periudhe afatmesme kohore”, ka thënë Shala

Edhe kryeministri Albin Kurti e ka pranuar se nëse refuzohet plani i BE-së, Kosova mund të përballet me ndëshkimet nga aleatët.

Ai ka treguar edhe porosinë që emisarëve evropianë ia kanë dhënë në takimin e 20 janarit.

“Ata ma bënë të qartë që Propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit ‘merre-ose-leje’. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta”, ka thënë Kurti të hënën para deputeteve të Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri ka bërë me se mund të këtë ndëshkime diplomatike për Kosovën.

“Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i Propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën, dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”, ka thënë Kurti.

Bashkimi Evropian ka njoftuar e takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksader Vuçiq, do të mbahet më 27 shkurt në Bruksel.

Një njoftimin për medie, BE-ja ka bërë me dije se në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili tashmë iu ka dorëzuar palëve./nacionale.com

“Të hënën, më 27 shkurt, Përfaqësuesi i lartë/Zëvendës Presidenti i Komisionit, Josep Borrell do të organizojë një takim në nivel të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të dialogut” është thënë në njoftim, duke treguar temat e takimit.

“Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në njoftimin e BE-së.

Shpërndaje në

U Kopjua