Mjekët e kanë mirëpritur rangimin e tyre në projektligjin e ri të pagave, i cili nga kjo javë është në diskutim publik, por frika e prolongimit e ka sjell reagimin për një rritje të pagës për 50% deri në aprovimin e ligjit.
Në projektligjin e pagave këta profesionistë shëndetësor janë kategorizuar me koeficientin 12.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu koeficientin e përcaktuar për mjekët e konsideron të mirë, përkundër që pritshmëritë e tyre thotë se kanë qenë më të mëdha.
Sejdiu thekson se ende janë të brengosur për shumën e koeficientit, meqenëse ende nuk është e përcaktuar.
Projektligji i ri i pagave, i cili nga kjo e enjte ka dal në diskutim publik, parashihet të hyjë në fuqi 8 muaj pas publikimit në gazetën zyrtare, e kjo ka shfaqur pakënaqësi tek Oda e Mjekëve, ku thonë se këto vonesa në aprovim dhe hyrje në fuqi të këtij ligji do të ndikojnë që edhe më shumë të ikin mjekët nga Kosova.
Lidhur me reagimin e profesionistëve shëndetësor të cilën kanë paralajmëruar edhe veprime sindikale gjatë javës së ardhme, kryetari i OMK-së, Pleurat Sejdiu thotë se krejt kjo po rrjedh nga frika e prolongimit të ligjit të pagave.
Sipas tij, 170 mjekë kanë marrë vërtetim për të ikë jashtë vendit, ndërsa mbi 60 të tjerë kanë lënë sektorin publik dhe kanë vazhduar të ushtrojnë profesionin e tyre në atë në privat.
Kreu i OMK-së kritikon qeverisjen e sektorit të shëndetësisë. Sipas Pleurat Sejdiut, për një vit nuk është bërë asnjë analizë e mirëfilltë për gjendjen e këtij sektori./kosovapress/