Live

Sekretari Blinken për targat: Jam i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës

19:16 / 28 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Numri tre i administratës amerikane, Antony Blinken është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila ka refuzuar t’i respektojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për të shtyrë për 10 muaj zbatimin e vendimit për targat. 

Blinken i ka thënë mediumit The Pavlovic Today se Kosova ka të drejtë që ta implementojë vendimin nën Marrrëveshjen e Brukselit, por se kërkesa që të shtyhet afati, u refuzua nga kryeministri Kurti. 

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë sekretari amerikan. 

Tutje sipas mediumit në fjalë, Blinken ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që urgjentisht të punojnë për arritjen e një marrëveshje, me qendër njohjen reciproke. 

“Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime që tregojnë përkushtimin e tyre për një bashkëpunim konstruktiv që të sigurohet një e ardhshme stabile për rajonin”,ka thënë ai.

Shpërndaje në

U Kopjua