Live

Ulja e pagave për gjyqtarët e prokurorët, reagojnë opozita njohësit e drejtësisë dhe shoqëria civile

15:35 / 23 Nëntor 2022

Nga admin

nga admin

Pas vendimit që mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme për uljen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), do të mbajë sot mbledhje të jashtëzakonshme.

Rreth 800 euro është vlera e zbritjes së pagës te shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, pasi Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë sikur para vendimit të Qeverisë Haradinaj që në vitin 2017 i pati rritur për gati dyfish, shkruan Kosovalive.net.

Me vendim të Haradinajt ishte dyfishuar paga e tij dhe ishte rritur e zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë. Vendimi automatikisht prekte pagat në drejtësi. Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në departament të përgjithshëm ishte bërë 1700 euro neto nga mbi 900 sa ishte deri në vitin 2017.

Te zyrtarët e lartë në drejtësi, ulja e pagës kap vlera edhe më të larta. Krerët e gjykatave dhe prokurorive themelore, zyrtarët në Kryeprokurorinë e Shtetit, ata në departamente të krimeve të rënda, përjetojnë zbritje edhe më të madhe se një mijë euro.

Qeveria Kurti në shkurt të 2020-ës pati vendosur ta ndryshonte vendimin e Haradinajt duke ulur pagat për zyrtarët qeveritarë, por duke mos i prekur ato në drejtësi. Të mërkurën vendosi për t’i kthyer ato siç ishin, në vendimin që i parapriu miratimit të Ligjit për Paga.

Qeveria mbrojti vendimin duke thënë se po respekton Kushtetutën.

Lidhur më këtë kryeministri Kurti foli shkurtë edhe në një konferencë për media për vendimet që u morën sot.

“Për të sjellë ligjshmërinë plotësuam dhe ndryshuam vendimin e datës 12 shkurt 2020, me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës të hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, tha Kurti.

Lidhur me këtë, pati reagime të shumta edhe nga opozita, njohësit e drejtësisë, dhe nga shoqëria civile.

Ata këtë vendim e kanë quajtur skandaloz, shkruan Kosovalive.net.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tash deputet i Kuvendit, ka kritikuar uljen e pagave për zyrtarët në sistemin e drejtësisë.

Hoti deklaroi se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet të preken, duke shtuar se vendimi i Qeverisë është joligjor, shkruan Kosovalive.net.

Ai tha se në “kohë krize pagat duhet të rriten e jo të ulen”.

“Pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të preken. Vendimi i sotëm i Qeverisë është joligjor. Kjo çështje është shqyrtuar në shkurt 2020 kur është marrë vendimi për uljen e pagave vetëm për kabinetin qeveritar nga koalicioni i atëhershëm VV-LDK, e jo edhe për sistemin e drejtësisë. Këta që sot e kanë marrë këtë vendim, e dinë mirë se vendimi është joligjor”, ka thënë ai.

Ai rekomandoi që deri në miratimin e ligjit të pagave, pagat duhet të rriten së paku sa norma e inflacionit për arsim, shëndetësi, administratë, polici, FSK e sektorë të tjerë që janë me paga të ulta.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka reaguar për vendimin e Qeverisë që t’iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Lidhur me këtë çështje Bajrami e pyet Kurtin pse pikërisht tani ky vendim.

“Në kohë turbulente për gjithë vendin, në mbledhjen e 109-të të Qeverisë, Kryeministri/Qeveria, në pikën e 3-të e rendit të ditës, nxjerr vendim që t’i ulë pagat për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët me arsyetimin se tani ka bazë për ta bërë një gjë të tillë, pasi që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar Ligjin për Pagat. Kryeministri po harron se këto kushte janë përmbushë nga 30 qershori 2020, kur Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar Ligjin për Pagat. Pyetja është pse pikërisht tani ky vendim?!”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Ligji për zyrtarët publik dhe ai për pagat janë virusi më i madh që ka hyrë në administratë shtetërore. Pas miratimit të dy projektligjeve nga kabineti qeveritar, ai ka theksuar se të dy këto nisma ligjore e vrasin shpresën e secilit zyrtar shtetëror. Ai shtoi se nuk duhet të kalojnë në Kuvend pa u amendamentuar dhe se duhet të ndalohen edhe përmes interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në konferencë për media, Tahiri tha se në emër të reformës është deformuar administrata shtetërore.

“Sot Qeveria e Kosovës, në emër të reformës e ka deformuar në esencë administratën shtetërore me miratimin e dy ligjeve, që e kthen Kosovën në kohën e UNMIK-ut. Nuk ka një vend as në kontinentin e Evropës, e as në Ballkanin Perëndimor, i cili mundohet që me ligj ta kap administratën shtetërore, ku përmes Ligjit për zyrtarët publikë, 1600 pozita i kthen prej pozitave të shërbimit civil në karrierë, në pozita me mandat politik katër-vjeçar që nënkupton e bën një goditje të madhe ndaj shtetit të Kosovës, administratës dhe meritokracisë”, ka deklaruar Tahiri.

Për më tepër, ai theksoi se edhe raporti i BE-së kundërshton këtë ligj.

Ndërkaq, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka cilësuar skandaloz vendimin e Qeverisë Kurti për kthim të pagave në sistemin e drejtësisë, sikur para rritjes që ishte bërë nga Qeveria Haradinaj më 2017.

Sipas Musliut, vendimi për kthim të pagave në nivelin e para pesë vjetësh e shkatërron sistemin e drejtësisë.

“Vendimi i fundit i Qeverise Kurti është vendim skandaloz që e shkatërron sistemin e drejtësisë – edhe ashtu të lodhtë, është vendim që e shkatërron sigurinë juridike, është vendim që përfundimisht e legalizon korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Eh tash kreditë e një pjese të gjykatësve dhe prokurorëve paramendojeni qysh kanë me u pagu?! Tmerr!” ka shkruar ai në Facebook.

Megjithatë, shoqëria civile e ka kundërshtuar vendimin duke thënë se po përdoren arsyetime të pavërteta pasi vendimi nuk ishte rrëzuar nga Kushtetuesja e se kjo gjykatë pati shfuqizuar ligjin për paga, që s’ishte bazë për ngritjen e pagave në drejtësi./Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua