Live

Vjen përgjigja nga Specialja për kritikët: Nuk jemi organ gjysmë politik, po i respektojmë të drejtat e njeriut

15:49 / 26 Janar 2023

Nga Kosova Live

nga Kosova Live

Në Gjykatën Speciale në Hagë aktualisht mbahen në paraburgim si të akuzuar tetë ish- udhëheqës të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ish – themelues dhe ish- udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Pjetër Shala, Sali Mustafa, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Ndaj të gjithëve është ngritur dhe konfirmuar aktakuza dhe që të gjithëve, me arsyetim stereotip u është refuzuar kërkesa për mbrojtje në liri.

Arsyetimi për refuzim për mbrojtje në liri është i njëjtë për të gjithë të akuzuarit, pavarësisht për natyrën dhe peshën e veprës për të cilën akuzohen. Në Kosovë, që nga arrestimet e tyre që ndodhën në 2020, qytetarët dhe kritikët mendojnë që kjo është bërë qëllimisht.

Kosovalive.net, ka kontaktuar me shefen për Informim dhe Komunikim Publik në Gjykatën Speciale, Angela Griep, për të pyetur se si dolën këto dosje nga Gjykata Speciale.

Ajo është përgjigjur duke thënë se zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka bërë hetime lidhur me këtë rast dhe çështja kundër zotërinjve Haradinaj dhe Gucati është sjellë para Dhomave të Specializuara dhe se aktgjykimi i apelit do të shpallet të enjten e javës së ardhshme.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka bërë hetime lidhur me këtë rast dhe çështja kundër zotërinjve Haradinaj dhe Gucati është sjellë para Dhomave të Specializuara. Trupi Gjykues, në aktgjykimin e tij të dhënë më 18 maj 2022, hodhi poshtë argumentet e paraqitura nga Mbrojtja se dokumentet kishin rrjedhur nga ZPS-ja me qëllim, pasi nuk kishte prova për ta mbështetur një gjë të tillë. Mbrojtja e ka apeluar aktgjykimin, duke përfshirë gjetjen e Trupit Gjykues në këtë çështje, dhe aktgjykimi i apelit do të shpallet të enjten e javës së ardhshme”, është përgjigjur ajo.

Puna e Gjykatës është bërë temë e madhe diskutimi në Kosovë edhe në Serbi, e me gjerë. Shqetësimi në Kosovë është se materialet sensitive kryesisht janë të sponsorizuara nga shërbimi inteligjent i Serbisë dhe prandaj ka brenga se me qëllim vetë prokuroria po i dëmton pretendimet saja për ti rënduar të akuzuarit.

Ndërsa unë nuk mund të flas në emër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila është një institucion më vete, mund të them se gjatë procedurave gjykatësit shqyrtojnë me shumë vëmendje çdo provë të paraqitur nga palët dhe më pas vendosin nëse e konsiderojnë atë të pranueshme, autentike dhe me rëndësi”, është përgjigjur Angela Griep, shefe për Informim dhe Komunikim me Publikun në Gjykatën Speciale.

 Kritiket janë të shqetësuar ashtu sikurse pala mbrojtëse edhe për mungesë transparence. Shumë herë avokatët kanë ngritur shqetësimin se prokuroria nuk po ua jep dosjet e plota të akuzës. Lidhur me këto shqetësime Kosovalive.net, ka pyetur këtë zyre për këto shkelje.

Ligji dhe Rregullorja e Procedurës dhe e Provave (Rregullorja) sigurojnë standardet më të larta të drejtësisë penale të pasqyruara në instrumentet e ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Çdo çështje që lidhet me nxjerrjen e materialit (që është procesi i dhënies së informacionit, që zotëron ZPS-ja, për Mbrojtjen) është e rregulluar sipas Rregullores sonë. Mbrojtja mund të ngrejë çdo shqetësim që ka për këtë proces para gjykatësve, të cilët do të vendosin për këtë në përputhje me kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara”, është përgjigjur Griep.

Gjykata Speciale formalisht është e Republikës së Kosovës por në praktikë ajo sipas zërave kritik është një trup ndërkombëtar gjysmë politik, por a mundet që Gjykata Speciale t’i siguroj kosovarët se gjyqtarët do ta ndajnë drejtësinë e mirëfilltë, ajo është përgjigjur duke thënë se Dhomat e Specializuara janë gjykatë dhe jo organ gjysmëpolitik.

Dhomat e Specializuara janë gjykatë dhe jo organ gjysmëpolitik. Dhomat e Specializuara funksionojnë në përputhje me mandatin që i është dhënë pas shkëmbimit të letrave ndërmjet BE-së dhe Kosovës, nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Duke pasur parasysh këtë, Dhomat e Specializuara janë përqendruar në sigurimin e procedurave të drejta, të paanshme dhe të sigurta, gjatë të cilave respektohen të gjitha të drejtat e të akuzuarve, mbrohen dëshmitarët dhe viktimat mund të marrin pjesë me dinjitet”.

Ndër të tjera, shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Gjykatën Speciale, Angel Griep, ka thënë se të akuzuarit gëzojnë të gjitha të drejtat në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut./Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua