Live

Sot Dita e Punëtorëve, si nisi lëvizja në vitin 1884 dhe çfarë përfaqëson 1 Maji?

09:01 / 01 Maj 2024

Nga Kosova Live

1 Maji njihet ndryshe si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, një manifestim që lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës.

“Do të vijë një kohë kur heshtja jonë do të jetë më e fuqishme, se zëri që ju po e mbytni sot”.

Ishin këto fjalët e fundit të August Spies, një nga katër punëtorët e pafajshëm, që u ekzekutuan pas shpërthimit të një bombe në sheshin “Haymarket” në Çikago, në maj të vitit 1886, ku humbën jetën tetë drejtuesit kryesorë të lëvizjes së punëtorëve, “Krimi” për të cilin Spies dhe shokët e tij po dënoheshin ishte të qenurit militantë në luftën që punëtorët kishin ndërmarrë për të drejtat e tyre dhe punën 8-orëshe.

Lëvizja nisi më 1884, kur Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve (paraardhëse e Federatës Amerikane të Punëtorëve) hartoi rezolutën se “duke nisur nga 1 maji 1886 orari i punës për të gjithë punëtorët duhej të ishte 8-orësh”. Më 1 maj të vitit 1886 mbi 200 000 punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, do të nisnin grevat për të kërkuar të drejtat e tyre.

Ndërkohë që gazetat do t’i vlerësonin ato si “absurde”. Vdekja e 7 policëve gjatë protestave, të nisura prej shumë ditësh, ishte shkaku i reagimit të Policisë së Çikagos ndaj lëvizjes së punëtorëve. Si pasojë e një bombe të hedhur nga forcat policore u vranë 8 udhëheqësit kryesorë të federatës së punëtorëve, duke e kthyer kështu majin në muajin e përkujtimit të përpjekjeve të punëtorëve për të fituar të drejtat e tyre.

Tre vjet më vonë nga ngjarja e Çikagos, më 1889, Internacionalja e Dytë Socialiste, që u zhvillua në Paris (Francë), vendosi kremtimin e 1 Majit si ditën e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të të gjithë punëtorëve të botës.

Sot, pothuajse pas 122 vjetësh, 1 Maji shënohet në mbarë botën si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve.

Shpërndaje në

U Kopjua