Vendkalimet në Bërnjak dhe Jarinje në veri të Kosovës janë ende të mbyllura për qarkullimin e veturave dhe këmbësorët. E vetmja pikë kufitare ndërshtetërore, ku lejohet lëvizja e njerëzve dhe mallrave, është Merdarja dhe Dheu i Bardhë.
Ndërkohë, nga Jarinja në Zveçan ka disa barrikada, ndërsa më së shumti njerëz janë te barrikada afër në Rudare, ku është bllokuar plotësisht qarkullimi nga Zveçani në Prishtinë, shkruan Kosovalive.net.
Kjo ishte përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij më vonë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji. Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Përkundër deklaratave të ambasadave amerikane dhe britanike në Prishtinë të cilat u kanë bërë thirrje serbëve që menjëherë të heqin barrikadat, ata nuk po merren fare më këtë.
Kryeopozitarët, Memli Krasniqi nga PDK dhe Lumir Abdixhiku nga LDK e kanë zgjedhur heshtjen, përkatësisht indiferencën kundrejt këtyre zhvillimeve tepër të ndjeshme. Në gjuhën televizive, heshja e tyre do të emërohej si publicitet.
Si duket të parit të Partisë Demokratike nuk po i intereson situata në veri të vendit, ku nga postimet e fundit në Facebook, ai të vetmin pikëpamje për situatën në veri e ka botuar para tre ditëve, kur iu është përgjigjur ftesë së presidentes së vendit, Vjosa Osmanit për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.
Gjithashtu, Krasniqi pesë ditë më parë e kishte pritur në selinë e partisë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Ndërsa, postimin që e pati me 6 dhjetor ishte kur serbët kishin sulmuar institucionet e shtetit dhe kandidatët garues ishin kërcënuar nga grupe të dyshuara kriminale të lidhura direkt me Listën Serbe dhe presidentin e Serbisë, Vuçiq.
Tensionet në veri të vendit nuk po i interesojnë as të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdxhiku. Së paku, ky konstatim objektiv mund të lexohet nga heshtja e tij, mospërfshirja e tij, indiferenca e ngjashme sikurse e kryetarit të PDK-së, pra publicitet opozitar.
Ai me 8 dhjetor kishte pritur në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ku kishin diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
Po ashtu, Abdixhiku ditë më parë kishte ishte pritur në ndërtesën e Senatit dhe Parlamentit të qytetit të Hamburgut, ku ishte takuar me deputetë të Bundestagut nga ky rajon dhe përfaqësues rajonal të Republikës së Hamburgut.
Ndërsa, për gjendjen aktuale në veri, i njëjtë sikurse kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, nuk është interesuar fare.
Në gjendjen e tanishme, Krasniqi e Abdixhiku, veç heshtjes e publicitetit opozitar në Facebook, nuk janë paraqitur edhe në konferenca për medie, e madje as nëpër studio televizive.
Në demokraci edhe heshtja natyrisht se do të mund të akceptohej si taktizim politik, ndrojtje e refuzim për t’u përballur me këtë situatë mjaft dramatike të sigurisë në veri. Pyetja elementare, logjike që shtrohet në kontekstin e tanishëm të pazakontë për Krasniqin e Abdixhikun është se a janë në të vërtetë ata përbrenda ‘kostumeve opozitare’?!
E, ai që përfshirë aktivisht për situatën në veri të Kosovës, është kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai përmes një statusi në Facebook, ditën e djeshme ka treguar rreth takimit që ka pasur me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku ky takim sipas Haradinajt ishte fokusuar për zhvillimet në vend.
Haradinaj në Kuvend, Facebook, e studio televizive ka qenë mjaft prezent, duke formuluar akuza të rënda për qeverinë Kurti. A janë të qëndrueshme akuzat e tij, me këtë pjesë natyrisht se i takon përgjigja e vet kryeministrit Kurti e mazhorancës. Në jetën publike, Haradinaj vazhdon të jetë mjaft i zëshëshm ndaj kryeministrit Kurti ashtu sikundër që të njejtën qasja e kanë edhe subjektet jo parlamentare, Nisma e Fatmir Limajt dhe PSD e Dardan Molliqajt./Kosovalive.net/