Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka njoftuar se ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, e ka kaluar duke takuar liderët e opozitës, të cilëve u ka dhënë shpjegime mbi marrëveshjen e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak ka thënë se e ka bërë të qartë pritjen e komunitetit ndërkombëtar që opozita ta vendos çështjen e dialogut mbi politikat ditore.
Lajcak ka publikuar fotografi nga takimet me kryetarin e PDK-së Memli Krasniqin, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj.
“Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, u takova me liderët e partive kryesore opozitare, për t’ua shpjeguar Marrëveshjen, si dhe hapat e radhës”.
“Gjithashtu, e bëra shumë të qartë pritjen e komunitetit ndërkombëtar për ta vendosur dialogun mbi politikat ditore, veçanërisht në këtë moment kritik”, ka shkruar Lajçak.
Gjatë ditës së djeshme, Lajçak e ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pas takimit, ka thënë se i ka kuptuar plotësisht pritjet e Kosovës.
Ndërsa, kryeminsitri Albin Kurti, gjatë takimit me Lajçak, është shprehur i gatshëm që ta nënshkruajë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, më 18 mars, në Ohër, gjatë takimit të planifikuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.