Live

Haradinaj kërkon përfshirjen direkte të SHBA-së në dialog: S’ka lojë shtesë

23:32 / 01 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të shtunën ka bashkëbiseduar me qytetarët e Pejës për çështjet shtetërore që sipas tij, janë shqetësuese për qytetarët. Ndër temat kryesore Haradinaj përmendi dialogun Kosovë-Serbi për drejtimin e të cilit u shpreh i pakënaqur, derisa kërkoi angazhim për përfshirje direkte të SHBA-së në ndërmjetësim.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të shtunën e rezervoi për një bashkëbisedim me qytetarët e Pejës.

Në një sallë para dhjetëra njerëzve, Haradinaj u foli pejanëve për disa tema nacionale, me theks të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi.

Para tyre, ai tha se është i shqetësuar se në negociatat me Serbinë nuk po shkohet në drejtimin e duhur. Andaj, e dha një këshillë për kryeministrin.

“I kam kërkuar kryeministrit që ta bëjë një kërkesë të presidenti amerikan që tash të vendoset kjo punë. Me lanë me u zgjatë mund t’i ikë rendi kësaj punës sonë”, ka thënë Haradinaj.

Ai e dha edhe një arsye se pse duhet të kihet kujdes në këtë proces.

“Nuk ka në dialog lojë shtesë, as ndeshje të kthimit e as penallti”, ka thënë tutje ai.

Përkrahësve të tij, Haradinaj ua dha edhe një lajm të mirë që sipas tij, ka dalë nga sondazhet.

“Si Aleancë, kemi një rritje serioze. Do të thotë kemi kaluar 14 për qind të rritjes”, ka thënë ai.

Kritika AAK-ja pati edhe për menaxhimin e situatës në këto kohë të inflacionit.

Shpërndaje në

U Kopjua