Live

Konjufca: Ushtria është e shtetit e shteti është i popullit

12:56 / 11 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në ceremoninë e betimit të 311 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të mbajtur sot në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, deputetë, oficerë të FSK-së dhe ushtarakë të NATO-s.

Me këtë rast, kryetari Glauk Konjufca përgëzoi rekrutët e rinj për marrjen e detyrës, ndërsa shtoi se ushtria po rritet e po forcohet në Kosovën sovrane dhe demokratike.

Kreu i Kuvendit tha se ushtria është e shtetit e shteti është i popullit. Ai shtoi se për këtë shtet është dashur shumë mund, sakrificë dhe përpjekje, që kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mbrojtjen e vendit, çlirimin e atdheut dhe largimin e okupatorit serb.

“Shteti ynë është i barabartë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnie, gjinie, feje apo përkatësie tjetër. Dhe kjo është një vlerë që u arrit me vështirësi dhe mençuri. Por për ta mbrojtur lirinë e shtetit tonë e kemi FSK-në, e cila po ndërtohet sipas principeve të një ushtrie moderne e profesionale”, tha kryetari Konjufca.

I pari i Kuvendit tha se Kosova është e vetëdijshme se çdo arritje e saj është bërë bashkë me miqtë tanë të çmuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera të botës demokratike evropiane e perëndimore.

“Prandaj orientimi ynë është i qartë. Ne duam të jemi pjesë e Aleancës Ushtarake të Atlantikut Verior – Aleancës më të fuqishme në botë, e cila përfshin ushtritë e vendeve demokratike. 23 vite më parë ishte pikërisht NATO-ja e cila me bombardimet e saj ndali gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë”, tha kryetari Konjufca, duke shtuar se Kosova nuk është shtet që ka pretendime territoriale, por ndihet e kërcënuar nga pretendimet e Serbisë.

Në fjalën e tij kryetari Konjufca përmendi edhe agresionin rus në Ukrainë, duke potencuar se Kosova është rreshtuar përkrah popullit ukrainas dhe luftës së tij të drejtë kundër okupimit rus. Ai shtoi se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropiane pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe Serbia nga Kosova.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...