Live

PDK nuk ka vota për marrëveshjen, LDK E AAK po

20:44 / 10 Mars 2023

Nga Kosova Live

Diplomati evropian, Miroslav Lajçak e ka rezervuar ditën e dytë të vizitës në Kosovë për takime me liderët e opozitarë. Ai ka shpjeguar se ardhja e tij ndërlidhet me përgatitjen sa më të mirë të takimit të 18 marsit në Ohër. PDK ka dal kundër marrëveshjes, teksa LDK me disa vërejtje, është deklaruar se e përkrah dialogun dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Mëngjesin e ditës së dytë të qëndrimit në Kosovë, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka nisur me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

Pas takimit, Krasniqi i ka shprehur rezervat sa i përket marrëveshjes së propozuar për normalizim të raporteve duke thënë se marrëveshja aktuale nuk do ta ketë votën e PDK-së në Kuvend.

Ndryshe nga PDK janë shprehur liderët e LDK-së dhe AAK-së të cilët i kanë dhënë mbështetje marrëveshjes.

Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook tha se LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve.

“LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces. LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës. Në takim, z.Lajcak i kërkova sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”. Ka shkruar Abdixhiku.

Edhe kryetari i AAK-së ka shprehur vlerësimin e tij për unitetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetje të kësaj marrëveshje.

Për media, është deklaruar nënkryetari AAK-së Ardian Gjini. Ai ka thënë se partia e tij do ta votojë marrëveshjen në në Kuvend.

Në fund të takimeve, Lajçak ka vlerësuar se është përmbushur qëllimi i tij për t’i informuar partitë opozitare në detaje për planin e BE-së për dialogun.

“Mendoj se është e rëndësishme në këtë pikë për mua të takohem me partitë opozitare, dhe jam takuar me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në dhe i kam njoftuar për procesin, për pritjet e Bashkësisë Ndërkombëtare, ata kanë shpjeguar qëndrimin e partive të tyre. Pra, e gjitha është pjesë e përgatitjes për takimin e datës 18. Pra, mendoj që është shumë e rëndësishme që edhe ata të dëgjojnë nga unë, dhe jo vetëm nga media apo nga Kuvendi, prandaj për mua këto takime kanë përmbushur qëllimin”, ka shkruar Lajçak.

Të enjten, Lajçak ka zhvilluar takime edhe me krerët e shtetit.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, ai ka thënë se pritshmëritë e tij janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shpërndaje në

U Kopjua