Live

Dhomat e Specializuara: Hysni Gucati e ka paguar gjobën prej 100 eurove

10:57 / 10 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë dal me një njoftim të ri në lidhje me Hysni Gucatin.

Ata kanë lajmëruar se Gucati ka paguar gjobën prej 100 eurove që ishte dënuar, shkruan Kosova Live.

Në këtë shkresë të parashtruar nga administratorja e DhSK-së, Fidelma Donlon, thuhet se më 18 maj 2022, trupi gjykues II nxori aktgjykimin në rastin KSC-BC-2020-07, ku Hysni Gucati u dënua, ndër të tjera, me një gjobë prej 100 eurosh.

Më 3 tetor 2022, thuhet se bashkë-avokati i Gucatit e informoi Zyrën e Regjistrimit se ishte kryer pagesa e gjobës. Në të njëjtën ditë, Zyra e Regjistrimit mori një pagesë hyrëse prej 100 euro.

Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i  shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./Kosova Live/

Shpërndaje në

U Kopjua