Live

Messi e tërheq muskulin në kofshën e majtë, mund të mungojë kundër Interit

21:36 / 25 Shtator 2019

Nga Kosova Live

Barcelona ka njoftuar zyrtarisht se Lionel Messi e ka tërhequr muskulin në adductorin e kofshës së majtë, gjatë ndeshjes kundër Villarrealit. Kapiteni i katalonasve do të mungojë kundër Getafes në fundjavë dhe është në dyshim kundër Interit në Ligën e Kampionëve mesjavën e ardhshme.

Messi ishte titullar për Barcelonën në fitoren 2:1 kundër Villarrealit në La Liga të martën mbrëma – për herë të parë që prej lëndimit që ia kishte humbur dy muajt e parë të sezonit të ri – por u detyrua ta braktisë lojën menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë.

Supyerlli argjentinas u ankua për një shqetësim në muskulin e këmbës së majtë pas gjysmë ore lojë dhe mori trajtim mjekësor jashtë fushës, para se të largohej pas pjesës së parë për të mos u kthyer më.

Sot, Barcelona njoftoi se ai e ka tërhequr muskulin dhe nuk ka treguar se sa gjatë do të mungojë.

“Lojtari i ekipit të parë, Lionel Messi, e ka tërhequr (muskulin) në adductor në kofshën e majtë”, thuhet në njoftimin e Barcës.

Messi e kishte pësuar një lëndim në ijën e djathtë më 5 gusht dhe që prej atëherë i ka bërë vetëm dy paraqitje, kundër Dortmundit dhe Granadës si zëvendësues, para se të paraqitej si titullar kundër Villarrealit, ku e pësoi lëndimin tjetër.

Megjithatë, Messi nuk pritet të mungojë më shumë se një javë.

Shpërndaje në

U Kopjua