Live

Serbët në veri kundër targave RKS

14:47 / 01 Nëntor 2022

Nga admin

Pasi Policia e Kosovës ka filluar dhënien e vërejtjeve për riregjistrimin e veturave me targa serbe “KM” në “RKS” në vendkalimin kufitar të Jarinjës, situata është e tensionuar edhe në Leposaviq. Vërehet një numër më i madh i automjeteve të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it duke qarkulluar nëpër rrugë, raporton portali serb “Kosovoonline”.

Qytetarët dukshëm nuk ishin të disponuar të flasin për problemin ekzistues të riregjistrimit të automjeteve, por disa prej tyre folën për gazetarin e “Kosovonline”.

Zhivoradi nga Leposaviqi thotë se në popullatë ndjehet tension.

“Ndihet tensioni në ajër. Serbët janë të brengosur për gjobat prej 150 euro. Kështu mbetemi pa të drejta të njeriut, nuk jemi të barabartë me popullin, jemi të cenuar. Duhet të jetojmë të lirë dhe në paqe”, ka pretenduar Zhivoradi.

Një tjetër banor i Leposaviqit, Dragani, thotë se nuk do ta riregjistrojë veturën.

“Me siguri nuk do ta regjistrojë. Vetëm të ketë paqe dhe nuk kam çfarë të them tjetër”, ka shtuar Dragani.

Taksisti Zhivorad nga Leshaku thotë se as nuk e ka ndërmend ta regjistrojë veturën në “RKS”.

“Nuk do të pranojmë riregjistrimin e veturës, unë i pari nuk do ta regjistroj, as nuk e kam ndërmend, nuk do të paguaj gjobën, do ta parkoj veturës para shtëpisë, do jetoj me një pension të vogël, çfarë të bëj. Do të shohim deri ku do të shkoj kjo, një herë do të duhet të ndalet”, ka shtuar ai i cili është taksist.

Shpërndaje në

U Kopjua